Tur operatorët shqiptarë konfirmojnë rritjen e interesit për të vizituar destinacionet tona turistike jo vetëm nga ana e fqinjëve tanë por edhe nga turistët europian, amerikan apo aziatik. Ndikim pozitiv në këtë drejtim ka luajtur promovimi i Shqipërisë turistike në mediat prestigjioze si CNN, si dhe në mjaft gazeta ndërkombëtare. Agjencitë tona turistike thonë se një pjesë e mirë e klientëve të huaj kërkojnë jo vetëm detin dhe rërën por kryesisht itinerare për turizmin kulturorë.
Besnik Vathi: “Këtë vit ka, vazhdojnë të vijnë turist japonez, vazhdojnë janë futur turistët gjerman me grupe, francez. Pjesa më e madhe e turistëve që vijnë në Shqipëri vijnë të organizuar nga agjencitë e tyre të udhëtimit të vendeve përkatëse dhe një pjesë mund të them 15 deri në 20% vjen nëpërmjet agjencive shqiptare”.
Kliton Gërxhani: “Agjencitë që bëjnë pjesë në Shoqatën Kombëtare të Turizmit kryesisht sjellin turista të vendeve fqinje që janë maqedonasit dhe kosovarët për plazh dhe nga vendet e Evropës Perëndimore dhe Veriperëndimore, plus Amerika e Veriut dhe Azia e largët”.
Sipas shifrave të prezantuara nga Ministria e Turizmit pak ditë më parë, gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, flukse turistike drejt Shqipërisë janë rritur me 23% krahasuar me një vit më parë. Gati 80% e turistëve u takojnë fqinjëve tanë ku në vend të parë qëndrojnë turistët maqedonas e më pas ata kosovar./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro
Operatori: Izdor Rudho
Montazh: Ergis Hasanbelli