Ka marr rrugën drejt Shqipërisë sepse miqtë e tij shqiptar që punojnë dhe jetojnë në Gjermani kanë treguar për vendin e tyre. Nuk ka parë spote publicitare as nuk ka lexuar për vendin e shqipeve, por është nisur nga Duseldorfi për të shuar kureshtjen e përjetuar drejt vendit të panjohur.
Në pikën doganore të Muriqanit, ka mbërritur në orët e para të ditës duke rrëfyer për televizonin Klan arsyet që e shtyjnë të vizitojë vendin tonë.
“Në Gjermani nuk ekziston asnjë lloj informacioni për Shqipërinë miqtë e mi që jetojnë dhe punojnë atje më kanë treguar se keni një vend të mrekullueshëm. I shtyrë nga kurioziteti erdha ta vizitoj këtë vend.”
Një tjetër qytetar gjerman shprehet, se në ndryshim nga vendet e tjera Europiane për Shqipërinë mund të gjesh fare pak informacion në zyrat e promocionit.
“Ndërsa shtytjen kryesore ma dhanë fëmijët e mi të cilët kanë lexuar për Shqipërinë dhe historinë e saj.”
Të tjera vizitorë të rastësishëm ka shumë në pikën doganore të Muriqanit, që lidh Malin e Zi me Shqipërinë. Shumë prej tyre kalojnë transit për në shtetet fqinje, por që në statistikat e autoriteteve kufitare regjistrohen si turistë.
“Jo ne kemi qenë në Ulqin në fundjavë, tani po shkojmë për Kosovë vetëm kalojmë nga Shqipëria.”
Në doganën e Muriqanit e cila shërben si pikë kalimi turistike që nga muaji janar deri në muajin maj, kanë hyrë në shtetin shqiptar gjithsej 46 mijë e 686 shtetas nga të cilët për turizëm 6507 persona. Ndërsa të tjerët për qëllime biznesi dhe tranziti. /tvklan.al
Gazetar: Simon Shkreli