Më shumë turistë lindor pritet të popullojnë këtë verë plazhet shqiptare. Agjencitë tona turistike pohojnë se kanë lidhur mjaft kontrata me homologët e tyre nga shtete të tilla si Polonia apo Rusia. Sadik Malaj kryetari i Unionin të Operatorëve Turistik konfirmon mbërritjet e grupeve të para me turistë të cilët do të vijojnë deri në fund të tetorit.
Sadik Malaj: “Operatorët polakë tani kanë arritur që të firmosin kontrata me hotelet në Durrës për më shumë se 100 ditë, që kanë filluar turistët që dje. Po kështu kontrata të tilla po presim të firmosin edhe partnerët rus, ukrainas po edhe hungarez. Ndoshta ka ardhur dhe nga një mbingopje të tregut rajonal kryesisht Malit të Zi dhe Kroacisë dhe ka një shfryrje drejt tregut shqiptar, i cili sot është bërë atraktiv në rajon.”
Gjatë Konferencës Kombëtare të Unionit të Agjencive Turistike të mbajtur në Tiranë u kërkua më shumë bashkëpunim mes shtetin dhe aktorëve privat të sektorit të turizmit për të paraprirë me sukses sezonit. Zëvendësministri i turizmit Ekrem Spahia foli rreth këtyre sfidave dhe premtoi bashkëpunim.
Ekrem Spahia: “Nxitja e turistëve të huaj për të vizituar Shqipërinë, përmirësimi i standardeve të shërbimit, cilësia e fuqisë punëtore në industrinë turistike dhe promovimi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare është një ndër sfidat që ne si ministri përgjegjëse për turizmin ju dhe të gjithë aktorët e tjerë duhet të përballemi.”
Këtë vit Shqipërinë pritet ta vizitojnë mëse 2 milion turistë të huaj, kjo dhe falë reklamës që po transmetohet me sukses në CNN./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro