Franca ka raportuar një rritje të ndjeshme të rasteve të reja me koronavirus. Mbi 30 mijë të infektuar u konfirmuan të enjten. Një ditë më parë ishin konfirmuar mbi 22 mijë të infektuar.

Franca ka vendosur kufizime të reja për shkak të rritjes së infektimeve. Për katër javë banorët e Parisit, Marsejës dhe Lionit nuk mund të largohen nga qyteti pa pasur një arsye të vlefshme.

Organizata Botërore e Shëndetit ka paralajmëruar se kufizimet e forta janë nevojë absolute për të shpëtuar jetë njerëzish. Miliona njerëz në Europë janë duke jetuar nën masa të strikte pasi qeveritë po përballen me një valë të dytë.

Anglia ka vendosur që nga e shtuna të ndalohet qëndrimi në ambiente të brendshme. Londra dhe disa zona të tjera do të futen nën alarmin më të lartë për Covid.

Ashtu si në Francë edhe Italia, Polonia dhe Gjermania kanë regjistruar një numër të lartë rastesh. Ndërkohë Rusia shënoi numrin më të lartë të viktimave në një ditë që prej nisjes së epidemisë. /tvklan.al