Biznesi vendas është kundër rritjes së mundshme të çmimit të energjisë elektrike.
Për Konfindustrinë ky shtrenjtim do të reflektohej direkt mbi kostot e prodhimit vendas duke i bërë ato më pak të konkurrueshme në raport me mallrat e importit.
Rrjedhimisht më pak shitje, probleme likuiditeti deri në shkurtime të vendeve të punës apo falimentime të ndërmarrjeve. I këtij mendimi është kreu i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku.
Gjergj Buxhuku: “Kostot e energjisë elektrike sot zënë 7 domethënë shkojnë deri në 7-8 % në nivel mesatar dhe do të thotë që një rritje prej 44% e çmimit të energjisë elektrike, do të thotë një rritje prej 2-3% në kosto. Janë vërejtur probleme me likuiditetin, probleme me shitjet. Në qoftë se ne do ti shtojmë këto edhe prodhimin në vitin e ardhshëm të kostove të shtuara të energjisë elektrike të gjithë këta faktor do të bëjnë që kemi ndalim të zhvillimit ekonomik të vendit, falimentime, ulje të nivelit të shitjeve, papunësi.”
Buxhuku shton se duhet parë eksperienca e vendeve të tjera, ku çmimi i energjisë për biznesin është ulur dhe jo rritur.
Gjergj Buxhuku: “Në vendet konkurrente tonat të rajonit, por edhe të Europës kanë më se dy vjet të cilat jo vetëm që nuk i rrisin çmimet e energjisë elektrike, por duke përfituar edhe nga ulja e çmimit të naftës ka rënë ndjeshëm çmimi i energjisë elektrike të importit. Duke shtuar këtu edhe faktin tjetër se Shqipëria ka pasur prej disa vitesh rezerva të konsiderueshme mjaft të mira të energjisë elektrike, mendoj se rritja e çmimit, aq më shumë shifra të tilla mund të themi që nuk është e lejueshme.”
Vendimi për rritjen e çmimit të energjisë pritet të merret brenda muajit Dhjetor nga Enti Rregullator i Energjisë.
OSSH ka kërkuar që për 2010 tarifat e energjisë të rriten me 23%, ndërsa KESH me rreth 1,2 lekë për kilovat orë./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro