Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Java e rekordeve të çmimit të zi. Kështu e kanë përcaktuar analistët ndërkombëtarë javën e fundit, ndërsa janë shprehur skeptikë në lidhje me deklaratat, se oferta e naftës tashmë është stabilizuar. Parashikimet flasin, se çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare do të kapërcejë dhe nivelet rekord të 45 dollarëve për fuçi.

Tashmë edhe OPEC është në mëdyshje për të rritur prodhimin. Sipas deklaratave më të fundit, OPEC-u do të vendos në mes të Shtatorit për rritjen e prodhimit, pasi të merret aprovimi i të gjithë vendeve që e përbëjnë atë.

Kriza e energjisë tashmë ka përfshirë të gjithë botën, por qeveritë e vendeve të ndryshme kanë ndërhyrë në treg për të zbutur efektet e rritjes së çmimit. Vendet e rajonit kanë vënë në lojë prodhimin vendas të naftës, por gjithsesi janë përfshirë nga një rritje çmimi për karburantet.

Shumë i shqetësuar për krizën e naftës ka qenë qeveria italiane, e cila ka marrë masa energjike për të ulur çmimin. Konkretisht është propozuar ulja e akcizës për karburantet me rritjen e çmimit në tregjet ndërkombëtare. Mbi 400 euro për familje në krahasim me një vit më parë është përllogaritur të kushtojë rritja e çmimit të naftës dhe benzinës në Itali.

Ndërkohë në tregun vendas rritja e çmimit është bërë fakt tashmë, madje edhe për naftën e vendit. Importuesit deklaruan, se akciza e naftës e përllogaritur në përqindje, ndikon në një rritje shtesë të çmimit të naftës. Importuesit e naftës i kërkuan qeverisë vendosje të akcizës fikse për naftën, por autoritetet shtetërore nuk kanë dhënë asnjë koment në lidhje me këtë çështje./tvklan.al