Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Të gjithë kanë zbritur në plazhe, bronxaturë në vendin tënd. Vera s’ka ndryshuar, vazhdon të jetë e nxehtë, por kushtet në plazhe i janë afruar atyre jashtë vendit. Nëse deri vjet dëgjohej nga pushuesit por dhe të ardhurit nga trojet shqiptare, se mungon uji dhe dritat, sivjet nuk ankohet njeri.

Pjesa e Adriatikut që njihej si më problematikja për ndotje, ka fituar investime dhe kundrejt pastërtisë. Kjo ka afruar pushues më shumë se një vit më parë. Në këtë sezon turistik, popullsia e zonës së plazhit të Durrësit shkon deri 400 mijë njerëz. Adriatikut i janë rikthyer pushuesit e vjetër. Megjithëse i ndarë në ndërtesa private, pronarët e tyre kanë menduar më shumë për ata që do të vijnë.

Pushuesi: “Vijmë nga Tetova, përndryshe jetoj në Danimarkë, mirë, shumë mirë”.

Gazetarja: Ke qenë edhe herë të tjera në Shqipëri, në bregdetin shqiptar?

Pushuesi: “Po kam qenë, këtu në Durrës kam qenë dhe kam kaluar shumë mirë. Kam qenë edhe në Itali, kam qenë edhe në Turqi, mirëpo më shumë më pëlqen se jam shqiptar vetë dhe psë mund të jetë ndryshe unë zgjedh bregdetin shqiptar”.

Në 15 km vijë bregdetare, ka vetëm një rajon policie, përveçse ruajnë qetësinë, shpesh mbulojnë edhe mjekësinë, japin ndihmën në situata të acaruara, por dhe ndëhyjnë edhe tek të mbyturit.

Policia: “Veprojmë 24 orë në 24, me patrullime në të gjithë sektorin, në vijën bregdetare edhe në thellësi të lagjeve. Na ka ndihmuar shumë në këtë dinamikë edhe drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit, me forcat që na ka dërguar në ndihmë. Kemi pasur raste të mbytjeve në plazh dhe nja dy raste i ka shpëtuar grupi i gatshëm i ndërhyrjes së shpejtë të policisë, duke kryer dhe rolin e doktorit të mjekut”.

Këtë verë nuk thuhet më, se Durrësi i përket vetëm kosovarëve, kryeqytetasit fundjavën e kanë këtu, por dhe kanë prenotuar. Në katër muaj sezon duhet të tregojmë, se bregdeti ynë vlen, për të ftuar edhe të huaj, vlerat sjellin më shumë të ardhura për shtetin dhe privatin./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti