Rritja e çmimeve të ushqimeve tashmë është një problem global. Kjo duket qartë edhe në interesimin që shprehën ministrat e Financave të 20 vendeve më të industralizuara, të cilët u takuan në Paris. Pas diskutimesh të gjata u hartua një marrëveshje, e cila synon të parandalojë një tjetër krizë ekonomike në botë, të ngjashme me atë që u shoqërua me falimentime në vitin 2008.
Banka Botërore e cilësoi si alarmuese çështjen e çmimeve dhe shtoi se që nga muaji Qershor ato janë bërë shkaku kryesor për zhytjen në varfëri të 44 milionë njerëzve më shumë.
Rritja e çmimeve është shkaktuar si pasojë e prodhimit të pamjaftueshëm të produkteve ushqimore për të gjithë popullsinë e botës. Por si është situata në Shqipëri?
Rritja e çmimit të ushqimeve, naftës dhe gazit natyror në tregjet ndërkombëtare po pasqyrohet çdo ditë dhe më shumë edhe në tregun shqiptar.
Për të diskutuar mbi këtë çështje në emisionin “Opinion” ishin të ftuar ekspertja e ekonomisë Adriana Berberi, spikerja e lajmeve Sonila Meço, rektori i një universiteti privat Ardian Civici, eksperti i ekonomisë Artan Hoxha, kryetari i Konfindustirisë Gjergj Buxhuku dhe presidenti i Shoqatës së Hidrokarbureve Luigj Aliaj./tvklan.al