Çmimet e karburantit në disa pika të tregtimit me pakicë në kryeqytet kanë njohur rritje deri në 5 lekë për litër këto javët e fundit.
Qytetarët po përballen me një rritje si të çmimit të benzinës ashtu edhe të naftës. Rritja konfirmohet edhe nga publikimet zyrtare të institutit të statistikave, ku nga muaji në muaj prej fillimit të vitit karburantet shtrenjtohen me mesatarisht 1%.
Sipas grosistëve, në këtë rritje kanë ndikuar faktorë që lidhen me ecurinë e arit të zi në bursat ndërkombëtare, si edhe niveli i kursit të këmbimit mes monedhës vendase dhe dollarit amerikan.
Prej fillimit të vitit çmimi i naftës në bursë është rritur me rreth 4 dollarë për fuçi, teksa momentalisht kuotohet poshtë nivelit të 80 dollarëve për fuçi.
Edhe zhvlerësimi i lekut me gati 7% gjatë 3 muajve të fundit në raport me monedhën e gjelbër ka dhënë ndikim të çmimi final të tregtimit të karburantit në tregun vendas.
Megjithatë, ashtu siç është konstatuar edhe më parë, nuk është për tu përjashtuar edhe rritja abuzive e çmimit menjëherë sapo jepen sinjale për rritjen e çmimit në tregjet ndërkombëtare, në një kohë kur grosistët duhet të kenë të depozituar rezerva të paktën një mujore./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro