Lajme Arkiva – TV Klan 2004

I vetmi që do të kontrollojë privatin për zbatimin e pagës minimale është Inspektorati Shtetëror i Punës. Sipas ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale Bejtaj, kjo polici e punës do të penalizojë subjektet. Me këtë rritje page që nis nga e enjtja, nuk do të ketë më të punësuar që paguhen nën 10800 lekë.

Së pari, të gjithë të punësuarit që paguajnë sigurime shoqërore nuk do t’u lidhet kontratë pa një pagë të tillë, e tre komponentët, shteti-sindikata dhe punëdhënësi, do të kërkojnë zbatimin e ligjit. Sipas të dhënave të mbledhura nga Ministria e Punës, nuk ka privat që paguan nën 10 mijë lekë të reja në muaj.

Engjëll Bejtaj: “Çdo kontratë pune që bëhet nuk mund të jetë e vlefshme, në qoftë se ajo nuk respekton këtë pagë minimale. Çdo derdhje kontributi për sigurimet shoqërore nuk mund të bëhet më për një pagë më të vogël se sa është paga minimale. Instituti i Sigurimeve Shoqërore nuk mund të pranojë asnjë derdhje që bëhet jashtë kësaj page, pra jashtë vlerës 10800 lekë. Puna e zezë është një tjetër gjë pastaj që nuk lidhet fare me pagën minimale”.

Rritja më e fundit e pagës minimale pretendohet të jetë më e lartë se minimumi jetik për të punësuarit. Kështu, paga minimale është rritur nga viti që shkoi 740 lekë të reja. Rritja e pagës minimale ka qenë dhe një nga kërkesat e sindikatës./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti