Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Personat e arrestuar për trafik droge janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar që merrej me transportin e heroinës në 7 shtete, nga Azia në Europë. Hetimi për segmente të këtij rrjeti ka filluar së pari nga anti-mafia italiane rreth një vit më parë, ndërsa me transferimin e disa të dhënave hetimore për prokurorinë shqiptare ka filluar procedimi dhe në vendin tonë, nga një grup prokurorësh të krimeve të rënda.

Lënda narkotike transportohej fillimisht nga Afganistani, si vendburimi drejt Turqisë. Këtu lënda përpunohej dhe më pas heroina kalonte drejt Bullgarisë, Maqedonisë, për të hyrë në vendin tonë kryesisht nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Bllatës. Pas Shqipërisë heroina kalonte drejt Italisë, duke shfrytëzuar portin verior të vendit Shëngjinin, ose nëpërmjet Malit të Zi.

Mbrëmjen e 22 Qershorit gjatë transmetimit të ndeshjes Itali-Bullgari ka filluar njëkohësisht në Itali dhe Shqipëri aksioni për ekzekutimin e urdhër-arresteve të lëshuara. Policia shqiptare ka arrestuar 5 persona, ndër të cilët një kasap nga Durrësi Kujtim Beqiri, rezulton i arrestuar gabimisht, pasi kishte të njëjtin emër me personin, i cili kërkohej në të vërtetë.

Burime policore nuk kanë bërë të njohur numrin, por ka dhe urdhër-arreste të lëshuara dhe të pa ekzekutuara ende. Një ditë më parë drejtori i policisë Ibraj përjashtoi çdo mundësi që operacioni të jetë dekonspiruar nga radhët e vetë policisë. Ndërkohë pritet që prokuroria të vendos masën e sekuestros mbi disa prona dhe asete të personave tashmë të arrestuar, apo të shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar të heroinës./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj