Gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj në një raportim nga rezidenca e Kodrës së Diellit në Tiranë, në vendin ku një natë më parë u vra në atentat 39-vjeçari Briken Sanaj, përcolli më shumë detaje për itinerarin e ndjekur nga autorët e dyshuar të ngjarjes.

Sipas gazetarit, i cili i referohet të dhënave të grupit hetimor, në atentat kanë marrë pjesë dy persona, njëri në rolin e atentatorit dhe tjetri në rolin e shoferit. Autorët kanë mbërritur më makinë në rrethimin që ndodhet nga pas rezidencës. Teksa shoferi priste në automjet, autori i cili ishte i maskuar dhe në krah mbante një çantë, ka kaluar gardhin rrethues dhe është ngjitur në këmbë në afërsi të garazhit të viktimës. Aty ka pritur i fshehur pas një ulliri derisa viktima ka parkuar makinën dhe ka dalë nga garazhi. Autori qëlloi të paktën 3 herë në drejtim të 39-vjeçarit, duke i marrë atij jetën.

“Vendi që unë po raportoj aktualisht është nga pas rezidencës. Pikërisht këtu autorët që dyshohet se ishin dy, kanë ndaluar me automjet, më pas kanë kaluar gardhin dhe janë ngjitur nga pjesa e pasme e rezidencës duke kaluar barishtet dhe pemët, janë ngjitur deri tek pjesa pas rezidencës. Në pamjet që ju shikoni është dhe pjesa e pasme e rezidencës, pjesa fundore e saj në fakt, ku është edhe garazhi që ishte në pronësi të 39-vjeçarit Briken Sanaj. Sipas grupit hetimor, sapo autorët kanë marrë informacion mbi lëvizjet e 39-vjeçarit janë pozicionuar pikërisht tek një pemë ulliri që ndodhet rreth 20-30 metra distancë nga garazhi i viktimës. Më pas e kanë pritur derisa ka mbërritur dhe ka parkuar automjetin e tij. Pikërisht teksa po dilte në këmbë nga garazhi, ai është qëlluar me 3 plumba. Një plumb e ka marrë në kokë, një në kraharor dhe një në shpatull. Plumbat ishin fatalë. Autori sipas të dhënave të policisë ka ndjekur të njëjtën rrugë për t’u larguar ku, e priste automjeti në të cilin ndodhej bashkëpunëtori i tij. Ata janë larguar nëpërmjet autostradës për ta djegur më pas automjetin në zonën e Kasharit. Të paktën kjo është ajo që kanë dokumentuar kamerat e sigurisë, si ato të rezidencës ashtu edhe përgjatë rrugës. Një person ka qenë në cilësinë e ekzekutorit, ndërsa tjetri në rolin e shoferit. Autori ka qenë i maskuar me një çantë sportive që e mbante në shpinë, aty ku kishte dhe armën e zjarrit, kallashnikov. Arma e zjarrit është gjetur e djegur në automjet. Ajo është dërguar në laboratorin e policisë shkencore për t’u ekzaminuar”.

Sa i përket shkaqeve të këtij ekzekutimi, gazetari thotë se nga hetimet paraprake ka rezultuar se “viktima njihej me 3 emra: Në dokumente njihej si Briken Sanaj, emrin e fëmijërisë e kishte Skerdilajd, ndërsa si banor i rezidencën njihej me emrin Anton Gjini. Emri Anton, është edhe emri tjetër i vëllait. Siç duket ka përdorur emrin e tij për të hyrë në rezidencë dhe për të patur akses në të. Për policinë ka dyshime që në fakt kjo vrasje të lidhet me konfliktet e të vëllait dhe pikërisht pista e parë që është ngritur deri më tani është vrasje për arsye hakmarrje. Të paktën nga verifikimi paraprak që ka rezultuar për policinë është që vëllai i viktimës është përfshirë në një plagosje në vitin 2012, megjithatë janë duke u kryer verifikime edhe për konflikte të tjera, apo çfarë mund të rezultojnë për të kaluarën dhe aktivitetin e vëllait. Janë kryer verifikim edhe sa i përket precedentëve penale. Në vendin tonë viktima nuk rezulton të ketë patur precedentë penalë, megjithatë duke pasur parasysh që ai jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë është kërkuar edhe një informacion fillestar pranë autoriteteve italiane, ku sipas përgjigjes paraprake nuk rezulton që të ketë precedentë penalë edhe në shtetin fqinj”.

Sa i përket itinerarit të viktimës, gazetari tha se mbrëmjen e djeshme,” 39-vjeçari ishte në qytetin e Lezhës, në Shëngjin, në një dasmë, pasi martonte shokun e tij të ngushtë. Nga qyteti i Lezhës është kthyer në Tiranë, së bashku me nipat e dhëndrit, pra shokut të ngushtë të viktimës. Në momentin që ka zbritur pasagjerët, ai ka parkuar automjetin dhe më pas është qëlluar për vdekje”.

Briken Sanaj ishte i martuar dhe kishte 2 fëmijë./tvklan.al