Hasmëria, pista kryesore e hetimeve

Ky është 39-vjeçari Briken Sanaj i cili mbrëmjen e së dielës u vra me breshëri kallashnikovi në brendësi të rezidencës ‘Kodra e Diellit’. Viktima i njohur dhe me emrin Skerdi, u qëllua sapo kishte parkuar makinën në shtëpinë e marrë me qira nga miku i tij me iniciale A.Gj.

Ky i fundit mbrëmjen e së dielës kishte celebruar martesën në një lokal në qytetin e Lezhës. Pas ceremonisë, së bashku me bashkëshorten e tij ishte nisur në drejtim të Tiranës me një automjet. Nga pas i shoqëronte me një makinë Audi, viktima dhe një mik i tij.

Dyshimet e hetuesve janë se lëvizjet e të 4 personave janë monitoruar nga autorët. Njëri prej tyre ka qëndruar në pritje në brendësi të rezidencës dhe sapo Briken Sanaj ka parkuar, ka qëlluar me breshëri ndaj tij. 39-vjeçari ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital.

“Pasi kreu ekzekutimin e 39-vjeçarit, autori përdori këtë gardh për t’u larguar nga pjesa e pasme e rezidencës, aty ku e priste dhe automjeti me të cilin ikën nga vendngjarja”.

Burime nga grupi hetimit bëjnë me dije se në filmimet e kamerave të sigurisë, autori shihet që mban në krahë një çantë të madhe, në të cilën dyshohet se fshihte Kallashnikovin. Ai mbante edhe një kapele, çka e ka bërë deri tani të pamundur identifikimin e tij.

Pasi u larguan nga vendngjarja autorët dogjën makinën tip Benz me targa të vjedhura në zonën e Qafë Kasharit, në brendësi të së cilës u gjet arma automatike dhe disa gëzhoja.

Viktima, Briken Sanaj mësohet se disa vite më parë ka patur probleme hasmërie në qytetin e Lezhës, ku banonte. Kjo është pista kryesore që po verifikohet nga grupi hetimit. Megjithatë verifikime po kryen edhe për ndonjë konflikt tjetër të 39-vjeçarit, apo të afërmve të tij.

Tv Klan