Rrugët vazhdojnë të mbeten gangrenë për buxhetin e shtetit. Në fund të vitit 2017-të projektet në infrastrukturë vazhduan të mbartin detyrime të prapambetura për kompanitë private.
Vetëm në 3 muajt e fundit, ky sektor i faturoi arkës së shtetit një vlerë shtesë prej 30 milionë dollarësh, ku 26 milionë janë planifikuar për tu shlyer me buxhetin e këtij viti, e pjesa tjetër do të jepet vitin e ardhshëm.
Krahasuar me 2016-ën, viti që shkoi, krijoi një faturë dy herë më të lartë për shpenzimet jashtë planifikimit buxhetor.
Në total janë 57 milionë dollarë borxhe të shtetit ndaj privatëve.
Pas shpenzimeve për mirëmbajtje e shtesa në fondin e rrugëve, hendekun tjetër më të madh në buxhet e kanë lënë vendimet gjyqësore, çështje që administrata i ka humbur në gjykatë.
Në 2014 dhe 2015, qeveria pagoi 550 milionë dollarë për detyrime të prapambetura të evidentuara ndër vite, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar kontroll më të mirë të shpenzimeve.
Në shtator, Ministria e Financave kallëzoi penalisht disa zyrtarë të ARRSH për shkelje të disiplinës financiare me fondet e rrugëve.
Tv Klan