Qeveria shqiptare hedh një tjetër hap për ndërtimin e aksit rrugor Milot – Fier, pjesë atij që njihet si “Korridori Blu”. Prej këtij aksi është ndërtuar tashmë pjesa nga Thumana në Kashar me anë të partneritetit me privatin. Në të njëjtën mënyrë qeveria do të ndërtojë edhe pjesën tjetër duke e ndarë atë në tre segmente.
Aksi nga Miloti në Thumanë, 13.5 kilometra u është besuar një bashkimi prej 3 kompanish që do të projektojnë, ndërtojnë, operojnë, mirëmbajnë apo rehabilitojnë atë. Për segmentin Kashar – Pezë – Lekaj, 26.6 kilometra qeveria ka ngarkuar ministrinë e Infrastrukturës të lidhë kontratë me një bashkim prej 7 kompanish private të shpallura fituese.
Ndërsa një konsorcium prej 8 kompanish të tjera do të marrin përsipër aksin Lekaj-Konjat-Fier, 46 kilometra. Aty më pas rruga lidhet me bajpasin e Fierit për të vijuar me pjesën e ndërtuar që shkon drejt jugut. Kompanitë që do të bëjnë ndërtimin e rrugës do ta administrojnë atë nëpërmjet një tarife për 35 vite dhe më pas i kalon shtetit. Për ata që nuk dëshirojnë të paguajnë do të ketë rrugë dytësore falas.
I gjithë aksi nga Miloti në Fier është 115 kilometra i gjatë dhe parashikohet që të përshkohet për 1 orë e 15 minuta ndërsa nga Morina në Vlorë për vetëm 3 orë. Për të tre akset që janë shpallur fituesit e koncesioneve vlera e investimit llogaritet në 839,4 milionë Euro.
Tv Klan