Bujar Asqeriu – Aktori
Nën lëkurën e tij janë mishëruar rreth 120 personazhe të papërsëritshëm që u kanë përcjellë shikuesve emocione dhe ndjenja të forta në vite.
Me 42 vite karrierë, Bujar Asqeriu është një ndër aktorët e mëdhenj të skenës së teatrit dhe filmit shqiptar. “Nderi i Kombit”, aktori Bujar Asqeriu është padyshim një nga emrat më të rëndësishëm në art. Magjia e ekranit të madh e bëri për vete Bujar Asqeriun qëkur ishte i vogël, teksa shihte rregullisht filmat që shfaqeshin në kinema.
Rolet e tij janë të shumta, si në dramë edhe në komedi. “Në shtëpinë tonë” është filmi i tij i parë që i hapi dyert e suksesit në kinematografi. Më pas do të luante në filmin “Radiostacioni”, “Liri a vdekje”, Vëllezër dhe shokë”, “Në prag të lirisë”, “Para agimit”, etj. Ndërsa dy ndër rolet me të cilët ka pasur sukses të jashtëzakonshëm, por edhe është vlerësuar maksimalisht është roli i Telos në filmin “Njeriu i mirë” dhe Avni Rustemi në filmin “Një emër midis njerëzve”. Ai provoi për herë të parë emocionet e skenës në shkollë të mesme, ndërkohë sot i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan rrëfeu rrugëtimin e tij të gjatë në art.
“Për artistin gjëja më e shtrenjtë dhe më e shenjtë është kur vlerësohet për punën që kryen. Tërë jetën aktori punon për të realizuar këtë gjë. Në një moment kur shihja filmin “Gladiatori” dhe ai profesori i gladiatorëve iu thoshte që do të futeshin në arenë: “Mësimi numër 1. Të hyni në arenë dhe të fitoni respektin dhe pëlqimin e publikut”. Por momenti i final varej nga publiku, i cili do të thoshte se si kishte performuar ai gladiator. Ky është një mësim i jashtëzakonshëm për të gjithë ata që punën e tyre e ballafaqojnë me publikun. E kam xhiruar me emocion të madh filmin “Në shtëpinë tonë”, edhe kur ecja shputat e këmbëve nuk i ndjeja sepse interesohesha më shumë se si do të sillesha në bisedë. Aktori gjithë qenien e tij duhet ta zotërojë, por kjo harmoni vjen me shumë eksperiencë. Por janë emocione. Teatri ka magji dhe emocione të jashtëzakonshme. Ti shikon publikun, qan me publikun, qan hallet me të, ndërkohë edhe luan dhe kjo është një marrëdhënie e jashtëzakonshme. Unë kam ndjerë edhe sallën prej 500 vetash të mbushet me frymë dhe të shfryjë në të njëjtën kohë, kjo është magji”, tha Asqeriu.
Bujar Asqeriu është një aktor i mirënjohur i skenës dhe ekranit shqiptar. I ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ai foli për fëmijërinë dhe tregoi se familja e tij, që prej lindjes e thërriste Drini. Ai shtoi se edhe bashkëshortja e tij e quan Drini, me përjashtim të rasteve kur duhet të diskutojnë seriozisht. Siç tregoi aktori, përpara se ai të lindte, prindërve të tij iu kishte vdekur një djalë me emrin Bujar, por pasi i vunë këtë emër në Gjendje Civile, nuk mundnin ta thërrisnin në këtë emër, pasi i kujtonte djalin që kishin humbur.
“Im atë dhe ime më përpara meje lindën një djalë tjetër dhe atë e quanin Bujar. Mirëpo në mënyrë të papritur kur ne u rritëm, ime më më tregoi se kur ishin zgjuar në mëngjes ai nuk merrte frymë më. Ai ishte 6 muajsh, por ajo që më ka mbetur nga përshkrimi që më bënte ime më është se tregonte se ishte shumë i bukur. Kur linda unë dhe donin të më regjistronin në Gjendjen Civile, donin të më vinin emrin Drini ose Safet. Edhe ata vendosën Drini, por punonjësi iu kishte ndërruar mendjen dhe babai vendosi të më quante Bujar. Mirëpo më vonë kishin një tërheqje dhe nuk donin të më thërrisnin në atë emër dhe më thërrisnin Drini. Të gjithë më thërrasin Drini, por kur bashkëshortja ka gjëra serioze për t’më thënë më thërret Bujar. Fëmijëria ime më dukej e bukur si e të gjithë fëmijëve në lagje, sepse deti të jep jetë. Ne argëtoheshim duke luajtur. Por morëm shumë shpejt goditje, u nda nga jeta ime më, 5 vite më vonë edhe im atë. Pasi iku ai doja të lija edhe shkollën, por njerëzit e mi më mbështetën. Ne ishim 5 fëmijë dhe me vështirësi e ndërtuam ashtu si e ndërtuam jetën tonë. Por dua të theksoj që në mbijetesën time, njeriu kur do një profesion shumë dhe lidhet pas familjes me dashuri ka forca që të përballojë çfarëdolloj grushti nga jeta. Jeta jo vetëm për mua, por për të gjithë shqiptarët ka qenë e vështirë dhe me skamje”, tregoi aktori.
Dr Irena Savo Jorgaqi – Dermatologe Venerologe
Dr.Silvana Mishtaku Jani – Dermatologe Venerologe