Të ftuar:
Brixhida Kokëdhima – Sipermarrese
Elegante, me një stil të veçantë që bie në sy, ajo është një grua që ia ka dalë mbanë, si në aspektin profesional, por edhe në atë personal.
Brixhida Kokëdhima, me një veprimtari mbi 25-vjeçare në fushën e biznesit, ka treguar që është një grua e fortë dhe një profesioniste e vërtetë. Por përveçse një sipërmarrëse e zonja, ajo ka treguar se bashkë me bashkëshortin e saj, Koço Kokëdhima janë prindër të suksesshëm të tre vajzave.
E ftuar sot në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, Brixhida Kokëdhima rrëfeu se të jeshë biznesmene dhe nënë e tre vajzave nuk është aspak e lehtë. Ajo po ashtu zbuloi se bashkëshorti i saj donte një djalë, ndaj edhe planifikuan një fëmijë të tretë.
“Të jeshë mama e tre vajzave është shumë bukur dhe shumë vështirë. Vajzat janë të ëmbla. Nëse je një grua e zakonshme, 2 apo edhe 3 fëmijë mund t’i ndjekësh normalisht, por nëse je një grua biznesi është një lodhje e jashtëzakonshme, sepse më duhet ta ndaj kohën mes bashkëshortit, fëmijëve dhe punës. Për mua ka qenë ngarkesë shumë e madhe, por fëmija i tretë u bë me idenë që do të ishte djalë, sepse bashkëshorti im donte një djalë dhe prindërit e tij po ashtu. Unë nuk e kisha këtë ndjenjë, jam shumë e lumtur me vajzat. Era është fëmijë shumë i dashur. Diferenca me 2 fëmijë dhe me 3 fëmijë është shumë e madhe. Nuk është njëlloj. Është ngarkesë shumë e madhe. Era ka zgjedhur artin, mbaroi Juridikun, por nuk donte të vazhdonte Masterin. Ajo kishte një thirrje të fortë për të bërë kinematografi dhe shkruan publicistikë të shkëlqyer. Ne duam që të jetë e lumtur dhe të bëjë atë që ka dëshirë të bëjë. Unë jam shumë e lumtur me vajzat, sepse na duan shumë dhe na japin shumë kënaqësi. Besa me këngët e saj gëzon të gjithë shqiptarët, por edhe ne na qëndron shumë pranë. Ndërsa Bora bën një kujdes të veçantë për look-un tonë. Vajzat i kam trajtuar si shoqe, kam qenë mendjehapur dhe i kam gëzuar çastet me to. Këshilla ime për to ka qenë që të jenë të ndjeshme dhe të bëjnë diçka që e bëjnë mirë”, tha Kokëdhima.
Erion Kristo – Gazetar/Aktivist
Brizida Gjikondi – Aktiviste civile
Pr.Dr.Raida Petrela – Pedagoge në Fakultetin e Mjeksisë / Mjeke infeksioniste pediatre në QSUT
Rënia e temperaturave dhe mosvaksinimi mund të konsiderohen si terren i favorshëm për përhapjen e fruthit edhe në vendin tonë. Sipas njoftimit nga Instituti i Shëndetit Publik, deri në datën 22 Janar të këtij viti, janë identifikuar 30 raste me fruth tek fëmijët nën 2 vjeç. Ky njoftim vjen pas lajmit të keq të foshnjes 4 muajshe që ndërroi jetë ditën e diel, në shërbimin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Vogëlushja me iniciale A.A nga Manza e Durrësit humbi jetën si pasojë e komplikacioneve, pas diagnostikimit me fruth. Instituti i Shëndetit Publik iu bën thirrje të gjithë prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre, sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit. Jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit që nuk janë vaksinuar ndaj fruthit, apo që nuk kanë marrë dy doza të vaksinës, duhet të vaksinohen.
Për të folur për kujdesin që duhet të tregojmë kundrejt këtij infeksioni dhe masat për ta parandaluar ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Raida Petrela, mjeke infeksioniste pediatre në QSUT.
“Dimë që muajt e ftohtë janë më të predispozuar të përhapin virusin. Në muajin Janar janë paraqitur 30 raste me fruth dhe që janë shtruar në QSUT. Nuk ka patur raste të foshnjeve deri në 6 muaj. Fruthi është një sëmundje virale që ka një dekurs të vetin me një periudhë të fshehtë, një periudhë zhvillimi që nuk është shumë specifike dhe një periudhë zhvillimi të plotë kur shfaqen disa pulla të kuqe, që bëhen më të dukshme gjatë ditëve që fëmijët janë me temperaturë. Fëmijët mund të mbushen në fytyrë dhe në trup me to. Fillojnë fillimisht në fytyrë, më pas në trung dhe në pjesën e prapme të këmbëve dhe po kështu zhduken. Duke marrë parasysh se fruthi është një sëmundje ngjitëse, komuniteti i çerdheve dhe i kopshteve duhet të ketë kujdes dhe të marrë masa. Vaksina e fruthit bëhet në dy doza, e para bëhet pas vitit të parë të jetës dhe doza e dytë bëhet nga 4-6 vjeç. Theksoj se nuk duhet lënë pas doza e dytë, për të qenë të mbrojtur më mirë”, tha mjekia Raida Petrela.