Bujar Kapexhiu – Profesor
Ai konsiderohet si një nga personalitetet që i kanë dhënë shumë artit shqiptar përmes dhuntive të tij si aktor, skenarist, regjisor filmi artistik, regjisor i filmit vizatimor, regjisor teatri, pedagog, etj. Por krahas teatrit dhe kinematografisë, ai është edhe një nga karikaturistët e shquar shqiptarë.
Bëhet fjalë për Bujar Kapexhiun, i cili gjithashtu mban titujt “Artist i merituar”, “Profesor” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Së fundmi ai ka çelur ekspozitën e titulluar “Ndërkombëtarët”, ku edhe i është akorduar çmimi “Nderi i Kombit”. Kapexhiu ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur lidhur me ekspozitën dhe tregoi se është pritur mirë dhe ka pasur shumë politikanë që e kanë vizituar.
“Përmes kësaj ekspozite tregohet marrëdhënia e vendit tonë me ndërkombëtarët. Kjo ekspozitë është e tematikës së veçantë sepse është dhënë në një moment të veçantë, në një moment krize. Ne gjithmonë mendojmë se çfarë do të thonë ndërkombëtarët dhe gjithmonë në këto situata ndërhyjnë ndërkombëtarët. Duke qenë ne të pazotë kërkojmë nga ndërkombëtarët që të ndërhyjnë dhe të na vijnë në ndihmë.
Jemi kaq pak dhe çuditërisht nuk merremi vesh me njëri-tjetrin. Nga të gjitha palët duhet mirësia dhe sinqeriteti për progresin e Shqipërisë. Në përgjithësi ekspozita është pritur mirë dhe me interes. Ka pasur edhe politikanë që e kanë vizituar dhe kanë parë veten në momente delikate. Ka pasur fjalë të mira dhe unë kam kënaqësinë që me shumë prej tyre kemi diskutuar për shumë probleme. Megjithatë e fundit është karikatura, ajo thotë të vërtetën”, tha Kapexhiu.
E kemi parë shpesh në studio televizive teksa flet me pasion rreth artit të tij, por ndryshe nga herë të tjera artisti Bujar Kapexhiu ndau me të gjithë disa momente nga dita e tij e dasmës. I ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Kapexhiu, tha se në kohën kur është martuar ishte punëtor llaçi, pasi partia komuniste e kishte dërguar për riedukim pas Festivalit të 11-të.
Siç tregon ai duke qenë se ishte në survejim gjatë periudhës kur ishte bërë dasma, i kishte kërkuar gruas së tij të mos vishej me të bardha, pasi cilësoheshin si borgjezë. Por, gruaja e tij ia kishte kthyer me qetësi duke i thënë “Unë një herë martohem”.
“Kjo fotografi është e vitit 1975, në atë kohë unë punoja në llaç sepse pas Festivalit të 11-të partia më dërgoi për riedukim. Isha pa edukatë në atë kohë. Por ishte caktuar dita e dasmës dhe duhej të martohesha dhe gruaja ime nuk po martohej me një regjisor, por me një punëtor. Në atë kohë ishte i ndaluar fustani i bardhë, mbajtja e unazës, lyerja e buzëve dhe unë duke qenë se isha në survejim i thash edhe gruas: “Të lutem mos vish fustan të bardhë sepse mua më ndjekin”. Sepse po të shihnin që unë si i përndjekur dhe i paedukuar shkoja merrja nusen me fustan të bardhë do të rëndohej situata. Por ajo me qetësinë më të madhe dhe me një buzëqeshje të lehtë më tha: “Unë një herë martohem”. Dhe gruaja ime ishte e bindur që një herë do martohej”, tregoi Kapexhiu.
Edlira Gjoni – Eksperte Komunikimi
Aferdita Stroka – Klinika Stroka