#Rudina, një program nga autorja dhe moderatorja #RudinaMagjistari, një prej emisioneve më të ndjekur dhe të dashur për publikun duke ofruar tema të larmishme për të gjithë familjen.

Rudina – Eda Zari koncert në Tiranë/ Një natë e mbushur me jazz dhe poezi

Rudina – “Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo”/ Fatmir Koci ekranizon romanin e Dritëro Agollit

Rudina – 1 Nëntor – 31 Dhjetor çdo vizitë në Spitalin Hygeia nga 3900 bëhet 2900 lekë

Emocionon Eda Zari! Këndon në studio “dashurinë e vjetër”

Eda Zari, këngëtarja e cila i emocionon të gjithë ata që e duan muzikën Jazz, do të sjellë më 28 Tetor një koncert tepër të veçantë “Fjala dhe tingulli si një Palimpsest”. Ky koncert ndërthur muzikën me poezitë e shkrimtarit shqiptar Lasgush Poradeci dhe atij gjerman Heinrich Heine. 

Por pse pikërisht një koncert me pozitë e këtyre poetëve? Eda Zari e ka zbuluar arsyen tek emisioni “Rudina” në Tv Klan, ku ka rrëfyer se ky është një sekret, por Lasgushi është një dashuri e vjetër e saj.

Madje pas kërkesës së Rudina Magjistarit për një improvizim, Eda Zari nuk ngurroi aspak dhe këndoi një nga poezitë më të bukura dhe më romantike të Lasgushit, “Prandaj”.

Rudina Magjistari: Pse pikërisht Lasgush Poradecin dhe Heinrich Heine, pse këta dy poetë?

Eda Zari: Është një gjë  shumë e rrallë, sepse kemi një poet që këndon një poet. Lasgush Poradeci ka përkthyer veprën e Heinrich Heine, në një moment kur letërsia gjermane në atë nivel përkthimi nuk kishte qasje në Shqipëri. Lasgushi ka studiuar në Austri dhe si i tillë është po aq mjeshtër i fjalës gjermane, gati-gati e ka baraz me gjuhën shqipe. Gjermanishtja ka një metrik të caktuar dhe teksa marrim fjalën e  Lasgushit dhe e vëmë karshi asaj të Heinrich Heine, janë si dy letra kalk që rrinë bukur me njëra-tjetrën dhe nuk i  marrin aspak vlerën. Ishte një dashuri! Kjo ishte ndoshta një sekret, por ishte një dashuri e vjetër mes meje dhe fjalës së Lagush Poradecit, ndaj mendova se ka ardhur koha t’i qasemi ndryshe fjalës së tij, me uri, sqimatari dhe për të bërë një ngjizje ndryshe.

“Kemi ‘cic-micet’ tona”, Eda Zari rrëfen për bashkëpunimin me djalin e saj

“Fjala dhe tingulli si një Palimpsest”, është koncerti i veçantë me të cilin Eda Zari premton të na emocionojë më 28 Tetor. Ky do të jetë një koncert i cili ndërthur muzikën me poezinë e dy poetëve të lindur në vende krejtësisht të ndryshme, por me një ngjashmëri të madhe në poezitë e tyre, Lasgush Poradeci dhe gjermani Heinrich Heine. Ky koncert vjen në kuadër të serisë së aktiviteteve kulturore të  Tetorit Gjerman (Deutsche Oktober 2022), me partner mediatik televizionin Klan.

Për të treguar më shumë detaje për këtë koncert këngëtarja Eda Zari ishte e ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku përveç dashurisë së madhe për fjalën e Lasgushit, rrëfeu një tjetër bashkëpunëtor të këtij koncerti, që është djali i saj. Ajo ka treguar se si ishte për të të punonte me djalin, duke thënë se pavarësisht atyre “cic-miceve” që ndodhin gjithmonë, ajo është një kolege e mirë.

Rudina Magjistari: Ka një moment shumë të rëndësishëm ky koncert, vjen për herë të parë në Shqipëri me djalin, në një koncert të dy bashkë?

Eda Zari: Është hera e parë në këtë kontekst, sepse ka qenë edhe producent i albumit “Palimpsest”, kompozitor dhe është dashuruar me shqipen e Lasgushit. Kudo që shkon në qasjet e tij, flet për poetin, për gjuhën, për atë bukuri që i qaset edhe muzikës dhe i jep mundësinë atij si kompozitor, thënë në zhargon ta “puqisë” mirë fjalën me tingull. Vjen për herë të parë, ndajmë një skenë të dy. Dihet ajo gjëja klishe, por që qëndron, fëmija gjithmonë do të largohet nga prindi. Kemi edhe këto “cic-micet” tona, por këto e bëjnë atë gjënë akoma më të bukur, fërkimet, gërricjet. Unë e them gjithmonë, jam një nënë e mirë, por jam një kolege më e mirë.

Aleks Seitaj si shoku Zylo, regjisori Fatmir Koçi tregon pse ia besoi atij rolin kryesor në film

 “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” romani i njohur i Dritëro Agollit tashmë vjen dhe në film me po të njëjtin titull. Një film i cili rrëfen historinë e ngritjes në karrierë të një burokrati komunist të periudhës së diktaturës në Shqipëri, pikërisht historinë e shokut Zylo.

Zylo Kamberi është personazhi kryesor, i cili i kërkon shkrimtarit të talentuar Demka të hartojë fjalimet e tij për çështje ideologjike. Pra pas shkëlqimit të shokut  Zylo, fshihej Demka, i cili ishte përkushtuar aq shumë shkrimeve dhe fjalimeve sa që  filloi të linte pas dore dhe familjen.

Për të folur se si erdhi në jetë ky film ishte i ftuar te “Rudina”,  në Tv Klan regjisori Fatmir Koçi i cili mes të  tjerave ka treguar se përse zgjodhi që rolin kryesor, atë të shokut Zylo, t’ia besoj aktorit të talentuar Aleks Seitaj.

Rudina Magjistari: Pse zgjodhe Aleks Seitaj për të luajtur shokun Zylo?

Fatmir Koçi: Kisha mëdyshje se kush do e luante. Kisha vendosur që nuk do merrja një aktor në moshë të madhe, jo për paragjykim, por mendova se kjo gjë pak “vintage” si kohë, si mentalitet i përjetshëm, mendova se nën lëkurën, në portretin, në dimensionet e një aktori që i përket kohës lineare  që ne jetojmë mund të vijë nëse  ai do jetë edhe ai po njëlloj “vintage”, në modernitetin e vetë. Aleksi e ka!

Rudina Magjistari: I ka të dyja, edhe modernin edhe elegantin.

Fatmir Koçi: I ka të gjitha, është pa kohë, shumë i pasur si individ, në të gjitha cilësimet që mund të ketë  një qenie humane. Ka një ekzistencë në harmoni. Ka zë të bukur! Është shumë i talentuar./tvklan.al