Libri i kujtimeve të Mevlan Shanajt, “Të fshehta jashtë ekranit” nis me dozën e duhur të tërheqjes. Emri i parë që regjisori ka përzgjedhur për të rrëfyer kujtimet dhe për ta njohur personazhin në dimensione të tjera, është një poet. Poeti që i ka thurur vargjeve “liqerit” duke e joshur lexuesin drejt thellësive të poezisë së tij, Lasgush Poradecin.
Në programin “Rudina” në Tv Klan, Mevlan Shanaj e cilëson si “sukses” faktin që arriti të realizonte një dokumentar për poetin e madh. Ai kujton sesi një njeri si ai ishte ndër të vetmit që sfidonte normat sociale të diktaturës, bashkë me Marie Krajën.
Mevlan Shanaj: Unë e kam quajtur imperator i vështirë, diktator, nuk pranonte dhe e quaj sukses që arrita t’i bëj një dokumentar Lasgushit.
Rudina Magjistari: Dhe është unik, është i vetmi apo jo? Unë kur e kam parë për herë të parë, jam habitur me atë dokumentar se kam thënë si ka mundësi se e mendon Lasgushin si ato mitet që ekzistojnë vetëm në foto dhe kur e shikon në video është shumë emocionuese.
Mevlan Shanaj: Mit ishte ai, ishte i vështirë, përjashto gjenialitetin si krijues, por ishte i vështirë dhe duhet t’i hapje rrugë. Kam pasur dy njerëz në fillimet e mia që në atë kohë nuk mund t’u thoshe… ai kishte pseudonimin artistik, Lasgush se ishte Llazar Gusho.
Rudina Magjistari: Po më bëri përshtypje se nuk i thërriste njeri Lasgush, Llazar i thërrisnin të gjithë.
Mevlan Shanaj: Jo, z. Llazar. Te Lasgushi s’guxonte njeri t’i thoshte siç ishte koha, “shoku”, as Marie Krajës se dhe për Marie Krajën kam bërë dikur një dokumentar, asaj i thoshin “znj. Mari”./tvklan.al