Sindroma e Medeas, a ishte rasti i Shkodrës hakmarrje ndaj bashkëshortit?

“Nënë vrasëse!”, Rudina Magjistari për rastin e Almës: S’mund të shihet si sakrificë

Sot në emisionin e “Rudina” në Tv Klan u diskutua lidhur me ngjarjen tragjike të Shkodrës, ku Alma Arrazi u hodh në lumin Buna bashkë me 3 fëmijët e saj të vegjël. Një rast aq sa i rallë edhe tronditës!

Sociologu Gëzim Tushe nënvizoi faktin se nëna e re ka kryer një krim duke iu marrë jetën të vegjëlve të saj. Sipas tij, pavarësisht situatës ku ajo është gjendur, është veprim ekstrem dhe i pajustifikueshëm.

“Duhet bërë një diagnozë shumë e kujdesshme dhe e veçantë, por besoj që dy janë rrethanat sipas gjykimit tim. Së pari janë rrethanat e brendshme që lidhen me personalitetin e zonjës, kam parimin që viktimat nuk gjykohen pas vdekjes, por ama nuk na hiqet e drejta të themi që qoftë dhe për motive egoiste, se janë disa forma…Sidoqoftë edhe nëse është bërë për këto probleme të brendshme apo për shkak të problemeve të saj me stabilitetin mendor, nuk justifikohet veprimi. Absolutisht nuk justifikohet. Duhet ta studiojmë precedentin që t’u themi grave të tjera se duhet të jenë shumë më të kujdesshme, se e para njëherë nuk ke të drejtë t’i marrësh jetën vetes. E dyta, s’ke të drejtë të bësh krim! Se këtu kemi nga njëra anë vetëvrasjen, kemi dhe krimin. Sepse fëmijët janë hedhur prej saj. Sigurisht që jeta është private dhe njeriu mund të bëjë me të ç’të dojë, por edhe nga pikëpamja fetare apo humane, nuk ke të drejtë t’i marrësh jetën vetes dhe aq më pak fëmijëve.”

Së dyti ai preku rrethanat sociale që e kanë rënduar gjendjen mendore të Arrazit.

“Unë e kuptoj që situata e saj ka qenë e vështirë. Dëshpërimi , ankthi dhe forma të tjera psikotike janë mjete që nëse nuk i menaxhon siç duhe, nuk i kuron, ato të çojnë drejt vdekjes. Vetëvrasja është veprim i fshehtë, i befasishëm.”

Pas analizës së sociologut, edhe drejtuesja e emisionit Rudina Magjistari shprehu qëndrimin e saj. Ajo theksoi se 39 vjeçarja është një “nënë vrasëse” dhe ajo çfarë ka bërë nuk mund të shihet si një “sakrificë” pas “tradhtisë bashkëshortore”.

Çfarë shikoj dhe lexoj, edhe mënyra si është trajtuar…Tani po kalojmë në një ekstrem tjetër. Ajo nënë së pari ka bërë një krim. Ka vrarë, është nënë vrasëse! Pavarësisht se ka pasur një dhimbje shumë të madhe në shpirtin e saj, këtë e kuptojmë…Por ka bërë një krim. Duhet të jemi korrekt kur gjykojmë dhe mbajmë qëndrime. Në pjesën më të madhe të komenteve, qasja është burri që tradhtoi nënën me 3 fëmijë, dhe nëna e fëmijët që u vetësakrifikuan. Po për ça u vetësakrifikuan?! Nuk duhet të trajtohet si sakrificë kjo! Nuk ke të drejtë ti t’u marrësh jetën fëmijëve të tu, se nuk janë pronë e jotja”, u shpreh Magjistari.

“Për hir të hakmarrjes ndaj bashkëshortit nëna vret fëmijët e saj…”, çfarë është Sindroma e Medeas  

Ngjarja e kobshme që tronditi Shkodrën dhe mbarë vendin vazhdon ende të ketë dritë-hije. Nëna bashkë me fëmijët e mitur u gjetën të vetëmbytur në lumin Buna dhe tashmë janë përcjellë për në banesën e fundit.

Megjithatë, ngjarja e rëndë ka lënë pas edhe shumë pikëpyetje. Nuk janë zbuluar ende dinamikat e ngjarjes apo akti final, por ajo që diskutohet më së tepërmi është se si një nëne mund t’i erren sytë nga hakmarrja për bashkëshortin, saqë të bindë fëmijët e saj për t’u mbytur.

Pikërisht rasti në fjalë dhe disa prej pikëpyetjeve më të mëdha që ka lënë nga pas u diskutuan këtë të mërkurë në studion e Rudina. Gazetarja Enita Mema sjell në vëmendje se rastet kur nënat vrasin fëmijët në shenjë hakmarrje ndaj bashkëshortit nuk janë të padëgjuara në histori.

“Historia ka treguar që nga Medea, nga mitologjia greke dhe në fakt kjo edhe në psikologji, ekspertët mund ta konfirmojnë këtë, njihet si ‘Sindroma e Medeas’. Pra për hir të hakmarrjes ndaj bashkëshortit, nga momentet e një stresi apo të një gjendjeje jashtëzakonisht të fortë emocionale, nëna ndodh që vret fëmijët e saj, vetëm për hakmarrje dhe egoizëm ndaj bashkëshortit. Pra edhe nëse ajo nuk ka vuajtur, pavarësisht se simptomat janë që ka pasur një problem psikologjik… Sepse një njeri normal nuk mund të bëjë një akt të tillë”, tha mes të tjerash Mema.

/tvklan.al

Tragjedia në Shkodër/ Pse babai lajmëroi Policinë 24 orë pas zhdukjes së familjes?

Tragjedia e Shkodrës/ Në botë vetëvriten meshkuj më shumë, në Shqipëri ndodh e kundërta