Suksesi i parë strategjik nga inkursioni ukrainas në Rusi. Burimet ushtarake ukrainase thonë se Moska tërhoqi disa trupa nga Ukraina Jugore dhe i dislokoi ato në territorin e saj në përpjekje për të penguar përparimin e inkursionit ukrainas.
Zëdhënësi ushtarak Dmytro Lykhoviy tha se “Rusia ka zhvendosur disa nga njësitë e saj nga të dy rajonet e pushtuara Zaporizhzhia dhe Kherson të jugut të Ukrainës.”
Deri tani Ukraina pretendon se marrë kontrollin e 74 vendbanimeve në rajonin rus të Kurskut dhe është ende duke përparuar. Ky inkursion shpresohet se do ta pengojë Rusinë të dërgojë më shumë trupa në rajonin lindor të Donetskut.
Në anën tjetër, Ministria ruse e mbrojtjes njofto dërgimin e përforcimeve të reja ushtarake për rajonin e Kurskut.
Gjatë 24 orëve të fundit Ukraina ka përparuar 1-3 kilometra. Duke informuar presidentin Volodymyr Zelensky, shefi i ushtrisë Oleksandr Syrskyi tha se ushtria e Kievit ka kapur 40 kilometra katrorë territor të ri gjatë 24 orëve të fundit.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se nga operacioni kufitar janë kapur shumë robër lufte të cilët do të shkëmbehen me luftëtarë ukrainas.
“Pavarësisht betejave të vështira dhe intensive, forcat tona vazhdojnë të përparojnë në rajonin e Kurskut dhe ‘fondi i shkëmbimit të robërve po rritet,” tha Zelenskiy, ndërsa shtoi se vazhdojnë “përgatitjet për hapat e ardhshëm.”
Kjo pikë kufitare ukrainase ishte nën kontrollin e forcave ruse deri në fillim të inkursionit javën e kaluar. Mund të shihen me lehtësi uniformat ushtarake ruse brenda ndërtesave administrative të Ukrainës.
Një kamionçinë ushtarake ukrainase u pa pranë kufirit duke transportuar robër lufte, të prangosur dhe me sy të lidhur.
Ndryshe nga Rusia, Ministria e Jashtme e Ukrainës thotë se nuk është e interesuar të “marrë territor” në rajon, por do të vazhdojë ofensivën e saj derisa Rusia të pranojë “një paqe të drejtë”.
Uashingtoni, një aleat kyç i Ukrainës, u përpoq të distancohet nga inkursioni. Departamenti i Shtetit tha se Uashingtoni nuk është i përfshirë në asnjë aspekt të planifikimit të operacionit.
Autoritetet ruse po vazhdojnë të evakuojnë banorët në dhe rreth rajonit të Kurskut. Rreth 200 vetë që u larguan nga rajoni arritën në Moskë. Sipas zyrtarëve rusë të paktën 121,000 vetë janë larguar nga rajoni, ndërsa 59,000 të tjerë janë urdhëruar të largohen
Presidenti Vladimir Putin ka akuzuar Ukrainën për “krime” kundër popullit rus dhe përsëriti kërcënimin se Kievi do të marrë atë që ai e quajti një “përgjigje të denjë”.
Klan News