Në një  takim me ministrat e jashtëm në NATO u ra dakord se është prioritet sigurimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur infrastrukturën e Ukraines kundër sulmeve ruse.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte ka deklaruar se aleanca do të veprojë për t’i garantuar mjetet e duhura Ukrainës.

“Ekziston një marrëveshje se ndihma ndaj Ukrainës, veçanërisht me infrastrukturën e saj, duhet të jetë një prioritet. Kam besim se aleatët do ta ndjekin në javët në vijim për t’u siguruar që të furnizojnë Ukrainën,” tha Mark Rutte.

Ndërkaq Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis u ka bërë thirrje anëtarëve të  NATO-s që të  angazhohen për paqe në Ukrainë.

 “Nëse duam të kemi paqe në Ukrainë, nuk ka rrugë tjetër. Nuk ka asnjë mënyrë më të mirë për të siguruar garanci sigurie sesa garancitë aktuale të sigurisë të Nenit 5 të NATO-s,”  tha Gabrielius Landsbergis.

Nga ana tjetër Këshilltarët e Donald Trump në deklaratat e fundit kanë  hedhur propozime se si mund t’i  jepet fund luftës në Ukrainë.

Një  ide e tre këshilltarëve kryesorë, duke përfshirë të dërguarin e ardhshëm të Trump-it, për cështjen Rusi-Ukrainë, Keith Kellogg  është se pranimi i Ukrainës në NATO duhet të pezullohet për një kohë të pacaktuar. Keith Kellogg ka bërë të ditur se ndihma e ardhshme e SHBA do të varet nga negociatat e Ukrainës me Rusinë.

Mediat amerikane shkruajnë se do të vendoset një zonë e demilitarizuar dhe nëse Rusia pajtohet me këtë, Moska do të ketë lehtësim nga sanksionet, ndjekur nga heqja e plotë e tyre kur të nënshkruhet një marrëveshje paqeje. Në fund të fundit, një marrëveshje paqeje ka të ngjarë të varet nga angazhimi i drejtpërdrejtë midis Trump, Putin dhe Zelenskiy, thonë këshilltarët.

Klan News