Lëvizja për Zhvillimin Kombëtar iniciuar nga pretendenti për fronin mbretëror Leka I, sipas republikanit Sabri Godo, duhet parë me seriozitet si aleate e së djathtës, por ai shton se ndryshimet në kodin elektoral duhet të zgjidhin problemin e numrit të madh të partive politike.
Sabri Godo: “Ato parti që marrin, le të themi 0.5% të votave në zgjedhjet a kaluara, nuk kanë arsye pse të financohen nga shteti. Duket se ndonjëra nga ato mbase dhe krijohet për një qëllim të tillë, por në rastin e LZHK-së mua më duket se kemi të bëjmë me një forcë politike serioze. Nuk duhet të shikohet si kundërshtare e së djathtës, por si aleate e saj edhe brenda kuadrit të saj. Ajo mund të tërheqë një pjesë të elektoratit që abstenon dhe kjo është një gjë e mirë për të djathtën dhe për opozitën në tërësi. Ndërsa shikoj tek-tuk ndonjë sinjal që duket sikur rrudhin buzët për këtë. Mua nuk më duket kjo një gjë e mençur. Ka nën qiellin e së djathtës vend edhe për këtë levizje e cila ka aderuar prej kohe.”
Po kështu Godo vlerëson ndryshimet në kampin e majtë duke e cilësuar si kundërshtar të respektuar Lëvizjen Socialiste për Integrim drejtuar nga deputeti Ilir Meta.
Sabri Godo: “Duhet shikuar si një kundërshtar i respektueshëm. Partia Socialiste është duke u kthyer gjithnjë në shtratin e Partisë së Punës plus korrupsionin. Ajo e ka bërë kohën e vet nuk ka të thotë më dhe të bëjë asgjë. Kështu që këtë forcë të re unë e shikoj si një parti politike konstruktive të opozitës në të ardhmen.” /tvklan.al