Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest në burg” të dhëna nga Gjykata e Gjirokastrës për Andrew Bode, Andrea Kalemin dhe Julian Kalemin.
Të tre këta u arrestuan më 28 Gusht 2024 në Memaliaj gjatë një aksioni të policisë të mbështetura nga forcat RENEA.
I kërkuari prej 2 vitesh, Andrew Bode u vu në pranga pasi akuzohet si një nga personat e përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa, një ngjarje që besohet se ka ndodhur për shkak të vrasjes së Aleksandër Sadikajt në Tiranë me minë me telekomandë poshtë makinës.
Kjo ngjarje e 11 Qershorit 2022 hapi një sagë vrasjesh mes dy grupeve me qendër në Memaliaj e Sarandë.
Ndërsa, Julian Kalemi dhe Andrea Kalemi u arrestuan pasi mbanin të strehuar Andrew Boden, si dhe ju gjetën armë dhe municione pa leje.
Kujtojmë se Andrea Kalemit, në Korrik 2024 i vranë babain Shyqyri Kalemi në një atentat mafioz në qendër të Memaliajt.
SAGA E VRASJEVE:
11 QERSHOR 2022: Aleksandër Sadikaj, 27 vjeç, ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi i makinës që drejtonte. I riu mbeti fillimisht i plagosur dhe u dërgua në spital. Por atje, nuk ka mundur t’u mbijetojë dot plagëve të rënda dhe humbi jetën. 27-vjeçari ishte duke udhëtuar me një makinë tip “Benz”, e cila ka shpërthyer teksa ishte në lëvizje. Policia dyshon se i është vendosur eksploziv. Po ashtu mendohet se ajo është shpërthyer në distancë me telekomandë.
16 DHJETOR 2022: Në Tiranë u ekzekutua biznesmeni Edmond Papa. Kjo vrasje ndodhi si shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Sadikajt. Për vrasjen e Papës dyshohet se kanë marrë pjesë dy shokët e Andrea Kalemit. Albano Velo u arrestua, ndërsa tjetri, Andreë Bode u shpall në kërkim.
10 GUSHT 2023: Andrea Kalemi i njohur ndryshe dhe me emrin Adriatik, ra pre e një atentati me armë zjarri në portin e ishullit Paksos të Greqisë në Gusht të 2023-shit. Në vendin e ngjarjes u gjetën mbi 10 gëzhoja, ndërsa autori dyshohet se është një bashkatdhetar i tij.
14 DHJETOR 2023: Andrea Kalemi qëllohet me thikë në burgu në Greqi. Autori i plagosjes së Kalemit, sipas mediave greke dyshohet të kishte qenë një 28-vjeçar egjiptian.
12 JANAR 2024: Vëllai i Andrea Kalemit dhe daja i Aleksandër Sadikajt, 35-vjeçari, Zamir Kalemi u plagos me armë zjarri në Tiranë. Ngjarja ndodhi pranë rrethrrotullimit të Selitës rreth orës 22:55. Ai mori një plagë arme në këmbë. 35-vjeçari Kalemi ka qenë duke udhëtuar me makinë kur u qëllua me armë nga persona të paidentifikuar.
20 KORRIK 2024: Ekzekutohet në një lokal në Memaliaj, babi i Andrea dhe Zamir Kalemit, 74-vjeçari, Shyqyri Kalemi. Nga plumbat ka mbetur i vrarë, Marsel Cela, 47 vjeç (klient i rastësishëm në lokal), si dhe kamarieri i lokalit, Gledi Muka, 36 vjeç. I plagosur ka mbetur Artur Kalemi, 57 vjeç, i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
/tvklan.al