Ka marrë fund pas dy vitesh arratia e Andrew Bodes, i njohur ndryshe edhe si Edvin Bode. 45-vjeçari i akuzuar për vrasjen e Edmond Papës u arrestua në Memaliaj (Lexo më shumë).

Policia thotë se organizoi operacionin e koduar “Plani” pas informacioneve për vendndodhjen e Bodes, por edhe të një personi tjetër që dyshohej se posedonte arsenal armësh në banesë.

Edmond Papa

“Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në vitin 2022, ky shtetas, në bashkëpunim me 2 të tjerë, dyshohet se janë autorët e vrasjes së shtetasit Edmond Papa”, njoftoi policia sa i përket arrestimit të Bodes.

Bashkë me të u vu në pranga edhe Julian Kalemi. 42-vjeçari akuzohet nga policia se ka strehuar Boden.

Por operacioni i uniformave blu nuk është ndalur vetëm me arrestimin e tyre. Në aksionin që morën pjesë edhe forcat RENEA u arrestua edhe Andrea alias Adriatik Kalemi (Lexo më shumë), të cilit në Korrik të këtij viti i vranë babain, Shyqyri Kalemi (Lexo më shumë).

52-vjeçarit iu gjetën 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarakë, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 Euro, mbi 400 mijë lekë dhe 3470 dollarë.

“Shtetasi Andrea alias Adriatik Kalemi, 52 vjeç, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit””, njoftoi policia.

SAGA E VRASJEVE NË MEMALIAJ

Kujtojmë se Andrew Bode, bashkë me Albano Velon janë marrë të pandehur për vrasjen e Edmond Papës, ngjarje e ndodhur pasditen e 16 Dhjetorit 2022.

Sipas hetimeve dyshohet se Papa u vra në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt, i njohur si “Sanço” gjatë një atentati me minë të telekomanduar në Tiranë.

Kjo është edhe ngjarja që ka çuar në një sagë vrasjesh për hakmarrje më pas mes dy fiseve në Memaliaj ku në total kanë mbetur 5 viktima.

11 QERSHOR 2022: Aleksandër Sadikaj, 27 vjeç, ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi i makinës që drejtonte. I riu mbeti fillimisht i plagosur dhe u dërgua në spital. Por atje, nuk ka mundur t’u mbijetojë dot plagëve të rënda dhe humbi jetën. 27-vjeçari ishte duke udhëtuar me një makinë tip “Benz”, e cila ka shpërthyer teksa ishte në lëvizje. Policia dyshon se i është vendosur eksploziv. Po ashtu mendohet se ajo është shpërthyer në distancë me telekomandë.

16 DHJETOR 2022: Në Tiranë u ekzekutua biznesmeni Edmond Papa. Kjo vrasje ndodhi si shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Sadikajt. Për vrasjen e Papës dyshohet se kanë marrë pjesë dy shokët e Andrea Kalemit. Albano Velo u arrestua, ndërsa tjetri, Andrew Bode u shpall në kërkim.

10 GUSHT 2023: Andrea Kalemi i njohur ndryshe dhe me emrin Adriatik, ra pre e një atentati me armë zjarri në portin e ishullit Paksos të Greqisë në Gusht të 2023-shit. Në vendin e ngjarjes u gjetën mbi 10 gëzhoja, ndërsa autori dyshohet se është një bashkatdhetar i tij.

14 DHJETOR 2023: Andrea Kalemi qëllohet me thikë në burgu në Greqi. Autori i plagosjes së Kalemit, sipas mediave greke dyshohet të kishte qenë një 28-vjeçar egjiptian.

12 JANAR 2024: Vëllai i Andrea Kalemit dhe daja i Aleksandër Sadikajt, 35-vjeçari, Zamir Kalemi u plagos me armë zjarri në Tiranë. Ngjarja ndodhi pranë rrethrrotullimit të Selitës rreth orës 22:55. Ai mori një plagë arme në këmbë. 35-vjeçari Kalemi ka qenë duke udhëtuar me makinë kur u qëllua me armë nga persona të paidentifikuar.

20 KORRIK 2024: Ekzekutohet në një lokal në Memaliaj, babi i Andrea dhe Zamir Kalemit, 74-vjeçari, Shyqyri Kalemi. Nga plumbat ka mbetur i vrarë, Marsel Cela, 47 vjeç (klient i rastësishëm në lokal), si dhe kamarieri i lokalit, Gledi Muka, 36 vjeç. I plagosur ka mbetur Artur Kalemi, 57 vjeç, i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore./tvklan.al