Gjykata e Posaçme e Apelit refuzoi kërkesat e 10 të arrestuarve, mes tyre dhe 3 të huaj nga Amerika Latine, për t’u liruar nga burgu.

Bëhet fjalë për të arrestuarit të cilët dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal të trafikut të kokainës të fshehur në lëkurë gjedhi.

Kokaina që u kap brenda laboratorit të sofistikuar të drogës në Qerekë të Fushë-Krujës i është nënshtruar analizave, që do të përcaktojnë saktësisht sesa kilogramë lëndë narkotike do të ekstraktoheshin nga ndarja e 48 tonëve lëkurë gjedhi.

Grupi kriminal u përgjua për 1 vit me radhë nga Prokuroria e Posaçme, të cilët dyshohet se janë përgjegjës për dy raste të trafikut të kokainës nga Republika Domenikane.

Në laboratorin në Fushë-Krujë, ndodheshin dhe dy kimistë nga Venezuela e 1 kolumbian të cilët realizonin procesin e ndarjes së kokainës nga lëkura e gjedhit.

Sipas dosjes së SPAK, kolumbiani i cili u arrestua në vendin e tij drejton një grup kriminal pjesë e të cilit ka edhe shqiptar të arrestuar atje për llogari të FBI-së.

Gjatë operacionit të finalizuar me 15 dhe 16 Nëntor, përveç laboratorit të kokainës policia zbuloi edhe dy ambiente të tjera që dyshohet se ishin përdorur nga grupi kriminal.

Klan News