3 të vrarë dhe 1 i plagosur është bilanci i atentatit të regjistruar mbrëmjen e së shtunës në lagjen nr.3 të Memaliaj.

Ngjarja u regjistrua në orën 23:20 në pjesën e jashtme të një lokali, ku qëndronte një prej viktimave, Shyqyri Kalemi, që dyshohet të jetë dhe objektiv i këtij atentati. 74-vjeçari është babai i Andrea alias Adriatik Kalemit që i ka shpëtuar disa atentateve.

Foto: Shyqyri Kalemi, objektivi i atentatit në Memaliaj

Ai po qëndronte ulur në këtë tavolinë që shihni në pamje së bashku me të vëllain Artur Kalemin që mbeti i plagosur nga ky atentat kur persona të paidentifikuar që lëviznin me një automjet tip BMW, lëshuan breshëri kallashnikovi në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend.

Plumbat u përhapën kudo, ndaj veç Shyqyri Kalemit, kapën dhe kamerierin e lokalit 36-vjeçarin, Gledio Muka dhe 47-vjeçarin Marsel Çela, klient i rastësishëm në lokal.

Foto: Gledio Muka, 36 vjeç, kamarier në lokalin ku ndodhi atentati
Foto: Marsel Çela, 47 vjeç, klient i rastësishëm në lokalin ku ndodhi atentat

“Ende disa orë pas ngjarjes, shohim se ka gjurmë të gjakut, ndërkohë që policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së bizneseve këtu pranë”, raporton gazetarja Dorina Muho.

Pasi lëshuan breshërinë e plumbave, autorët që dyshohet se ishin të paktën 3 persona, u larguan me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës. Aty ata dogjën automjetin tip BMW, brenda së cilit u gjetën të shkrumbuara dhe 3 armë zjarri kallashnikov.

Lidhur me këtë ngjarje, banorët e Memaliajt shprehen të tronditur: Të 3 i njoh, shumë të mirë, shumë çuna të mirë. Jemi tronditur shumë fare. Të vriten 3 veta është kiamet i madh.

Ndërsa mësohet se janë shoqëruar në polici disa persona që mund të kenë dijeni mbi atentatin. Operacioni i kërkimit për kapjen e autorëve po bëhet në Gjirokastër, Vlorë, Fier dhe Berat. Në terren janë angazhuar edhe forcat RENEA. Deri në këtë fazë të hetimit policia dhe prokuroria dyshon se ngjarja e rëndë ka si prapavijë hakmarrjen ndaj fisit Kalemi.  


TË VRARË:

1. Shyqyri Kalemi, 74 vjeç (objektivi i atentatit, babai i Andrea alias Adriatik Kalemi),

2. Marsel Çela, 47 vjeç (klient i rastësishëm në lokal),

3. Gledio Muka, 36 vjeç (kamarier në lokalin ku ndodhi atentati).

I PLAGOSUR:

Artur Kalemi, 57 vjeç (vëllai i objektivit të atentatit, Shyqyri Kalemit).


11 QERSHOR 2022: Aleksandër Sadikaj, 27 vjeç, ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi i makinës që drejtonte. I riu mbeti fillimisht i plagosur dhe u dërgua në spital. Por atje, nuk ka mundur t’u mbijetojë dot plagëve të rënda dhe humbi jetën. 27-vjeçari ishte duke udhëtuar me një makinë tip “Benz”, e cila ka shpërthyer teksa ishte në lëvizje. Policia dyshon se i është vendosur eksploziv. Po ashtu mendohet se ajo është shpërthyer në distancë me telekomandë.

16 DHJETOR 2022: Në Tiranë u ekzekutua biznesmeni Edmond Papa. Kjo vrasje ndodhi si shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Sadikajt. Për vrasjen e Papës dyshohet se kanë marrë pjesë dy shokët e Andrea Kalemit. Albano Velo u arrestua, ndërsa tjetri, Andrea Bode u shpall në kërkim.

10 GUSHT 2023: Andrea Kalemi i njohur ndryshe dhe me emrin Adriatik, ra pre e një atentati me armë zjarri në portin e ishullit Paksos të Greqisë në Gusht të 2023-shit. Në vendin e ngjarjes u gjetën mbi 10 gëzhoja, ndërsa autori dyshohet se është një bashkatdhetar i tij.

14 DHJETOR 2023: Andrea Kalemi qëllohet me thikë në burgu në Greqi. Autori i plagosjes së Kalemit, sipas mediave greke dyshohet të kishte qenë një 28-vjeçar egjiptian.

12 JANAR 2024: Vëllai i Andrea Kalemit dhe daja i Aleksandër Sadikajt, 35-vjeçari, Zamir Kalemi u plagos me armë zjarri në Tiranë. Ngjarja ndodhi pranë rrethrrotullimit të Selitës rreth orës 22:55. Ai mori një plagë arme në këmbë. 35-vjeçari Kalemi ka qenë duke udhëtuar me makinë kur u qëllua me armë nga persona të paidentifikuar.

20 KORRIK 2024: Ekzekutohet në një lokal në Memaliaj, babi i Andrea dhe Zamir Kalemit, 74-vjeçari, Zamir Kalemi. Nga plumbat ka mbetur i vrarë, Marsel Cela, 47 vjeç (klient i rastësishëm në lokal), si dhe kamarieri i lokalit, Gledi Muka, 36 vjeç. I plagosur ka mbetur Artur Kalemi, 57 vjeç, i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.


11 QERSHOR 2022 – EKSPLOZIV MAKINËS NË TIRANË, NDËRRON JETË 27-VJEÇARI ALEKSANDËR SADIKAJ

Aleksandër Sadikaj, 27 vjeç, ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi i makinës që drejtonte. I riu mbeti fillimisht i plagosur dhe u dërgua në spital. Por atje, nuk ka mundur t’u mbijetojë dot plagëve të rënda dhe humbi jetën.

27-vjeçari ishte duke udhëtuar me një makinë tip “Benz”, e cila ka shpërthyer teksa ishte në lëvizje. Policia dyshon se i është vendosur eksploziv. Po ashtu mendohet se ajo është shpërthyer në distancë me telekomandë. Shpërthimi ka ndodhur në Unazën e Madhe, në aksin që të çon drejt Elbasanit.

Rreth 200 gramë lëndë plasëse iu vendos në pjesën e parme të automjetit, 27-vjeçarit, Aleksandër Sadikaj. Hetuesit janë përqendruar tek pamjet filmike në vendet ku i riu ka kryer lëvizjet e fundit, për të zbuluar ku është kryer montimi i eksplozivit që i mori jetën të riut.

Gjithashtu verifikime dhe me pamjet filmike pranë vendit ku u regjistrua shpërthimi fatal, pasi telekomandimi i një eksplozivi me pult kryhet në një distancë të afërt. Për këtë arsye hetuesit dyshojnë se autorët kanë ndjekur deri në momentet e fundit viktimën deri në shpërthimin e lëndës plasëse.


KUSH ËSHTË ANDREA KALEMI DHE LIDHJA E TIJ ME KRIMIN

Foto: Andrea Kalemi

Kalemi, i cili njihet edhe me emrin Adriatik Kalemi, ka një dosje të mbushur në policinë shqiptare. Kjo fillon që në vitin 2001. Asokohe ai u arrestua nga forcat speciale RENEA pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet belge. Kalemi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij, Fatmirin, kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan dhe Adriatik Çaça. Kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur në Anderleht më 13 Prill 2001.

Pas 16 vitesh, në 2017-ën ai u arrestua sërish. Së bashku me 2 persona të tjerë, duke qenë të dehur, kundërshtuan punonjësin e policisë. Një person i katër që ishte me ta goditi me shufër hekuri në kokë policin.

5 vite më vonë, atij i ekzekutuan të afërmin e tij, Aleksandër Sadikajn (Lexo më shumë). Atentati ndodhi pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, ndërsa për vrasjen e Sadikaj u përdor shpërthimi me eksploziv.

Disa muaj më vonë, në Tiranë u ekzekutua biznesmeni Edmond Papa (Lexo më shumë). Kjo vrasje ndodhi si shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Sadikajt. Për vrasjen e Papës dyshohet se kanë marrë pjesë dy shokët e Andrea Kalemit. Albano Velo u arrestua, ndërsa tjetri, Andrea Bode është shpallur në kërkim.

Prokuroria ka dalë në rezultatin se Andrea Kalemi ka lidhje të ngushta shoqërore me Velon dhe Boden. Ata kanë pasur dyshime të vazhdueshme se vrasja e të riut Sadikaj u organizua në Sarandë, pikërisht në hotelin e Edmond Papës.

Andrea Kalemi rezulton që të jetë edhe pronar i disa kompanive të ndryshme që merren me tregti mallrash industriale, ushqimore, bujqësore dhe blegtorale.

Në emër të tij janë edhe një bar bufe, restorant, pika servisi, parkim automjetesh, lavazh, hotele, agjenci të pasurive të patundshme, agjenci transporti dhe mallrash brenda dhe jashtë vendit si dhe aktivitete të ndërtimit. Ai ka edhe një kompani pastrim gjelbërimi. Në vendlindjen e tij, në Memaliaj, Kalemi rezulton të ketë një bujtinë.


10 GUSHT 2023: ATENTAT ANDREA KALEMIT NË GREQI, DYSHIME PËR HAKMARRJE

Andrea Kalemi i njohur ndryshe dhe me emrin Adriatik, ra pre e një atentati me armë zjarri në portin e ishullit Paksos të Greqisë në Gusht të 2023-shit.

Në vendin e ngjarjes u gjetën mbi 10 gëzhoja, ndërsa autori dyshohet se është një bashkatdhetar i tij. Për identifikimin dhe kapjen e tij policia greke ka kryer kontrolle në pjesën më të madhe të ishullit grek ku u regjistrua dhe ngjarja e rëndë.

Asokohe, mediat greke shkruanin se Kalemi që prej datës 5 Gusht kishte shkuar me familjen e tij për pushime në Greqi, duke udhëtuar nga Italia. Sipas policisë ngjarja e rëndë ka dyshime të jetë e lidhur me konflikte të së shkuarës ku 51-vjeçari mund të ketë qenë përfshirë, ose për hakmarrje.


12 JANAR 2024: PLAGOSET ME ARMË ZAMIR KALEMI NË TIRANË, VËLLAI I ANDREA KALEMIT

Vëllai i Andrea Kalemit dhe i afërmi i Aleksandër Sadikajt, 35-vjeçari, Zamir Kalemi u plagos me armë zjarri në Tiranë më 12 Janar 2024. Ngjarja ndodhi pranë rrethrrotullimit të Selitës rreth orës 22:55. Ai mori një plagë arme në këmbë. 35-vjeçari Kalemi ka qenë duke udhëtuar me makinë kur u qëllua me armë nga persona të paidentifikuar.

Policia shkoi në rrethrrotullimin e Selitës dhe nisi hetimet për zbardhjen e dinamikës, ndërsa u ngritën postblloqe në akse të ndryshme rrugore të kryeqytetit për kapjen e autorit/ëve.

Disa minuta më vonë, një automjet u gjet duke u djegur në zonën e Bërzhitës dhe dyshohet të jetë përdorur nga autori/ët e plagosjes.


/tvklan.al