Në fillim Ukraina, pastaj Shqipëria. Kombëtarja e Gjeorgjisë ka dy sfida të rëndësishme në Ligën e Kombeve. Synimi i përfaqësueses së drejtuar nga Vili Sanjol është që të marrin pikët e plota.
Tekniku shprehet në konferencën për shtyp përpara takimit ndaj përfaqësueses ukrainase në Poloni, se rëndësi ka që mentaliteti të jetë pozitiv në ekip.
Por ai e bën të qartë se si në Poznan ashtu edhe në Tbilisi, të tria rezultatet janë të mundshme.
“Mënyra më e mirë për të pasur sukses është të qëndrojmë të përqendruar në atë që po bëjmë, gjë që do të na sjellë shumë më tepër gjëra pozitive sesa negative në planin afatgjatë. Nuk mendojmë shumë për pozicionin e ekipit tonë në renditje. Janë katër ndeshje të tjera të vështira përpara! Siç thamë më herët, është një grup mjaft i barabartë. Të katër skuadrat kanë luajtur në Kampionatin Evropian, gjë që tregon nivelin e këtij grupi. Prandaj, pritet çdo rezultat në këtë grup, megjithatë, pas një fillimi të mbarë në shtator, ne duam të vazhdojmë të grumbullojmë pikë dhe më në fund do të shohim se kush do të kalojë në cilin pozicion.”
Shqipëria do të luajë me Gjeorgjinë më 14 Tetor në Tbilisi. Në sfidën e luajtur në stadiumin “Air Albania’, përfaqësuesja gjeorgjiane fitoi me rezultatin 1 – 0. Ekipi kryeson renditjen në grupin B1 me 6 pikë.
Klan News