Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme një histori tepër të veçantë dhe frymëzuese. Hamëz Brahaj është baba i tre fëmijëve dhe në studio ai tregoi të gjitha peripecitë dhe vuajtjet që është dashur të kalojë gjatë gjithë jetës.
Brahaj është rritur në një familje të madhe, ku kanë qenë 8 fëmijë dhe ku kushtet ekonomike kanë qenë shumë të vështira. Familja nuk mund të siguronte dot shkollimin dhe pavarësisht dëshirës së madhe që kishte për të vazhduar shkollën e lartë, e la atë për të nisur punë dhe për të ndihmuar familjen.
Më tej, ai shton se fatin e tij nuk ka dashur që ta pësojnë fëmijët, prandaj është futur edhe në borxhe, vetëm për të ndjekur fëmijët me studime.
Mirela Milori: Më bie në sy dëshira e madhe për t’i pasur fëmijët e shkolluar dhë për t’i pasur me arsim të lartë. Pse?
Hamëz Brahaj: Këmbëngul tek arsimi i fëmijëve faktikisht se jam rritur në një familje me halle të mëdha ekonomike. Vetë kam mbaruar në atë kohë klasën e 8 me mesatare 10, por nuk m’u dha mundësi të arsimohem në arsim të lartë, prej halleve dhe problemeve ekonomike.
Mirela Milori: Pra është një ëndërr që ti e ke pasur?
Hamëz Brahaj: Po! Meqë m’u dogj ëndrra ime thashë që të mos iu digjet fëmijëve të mi.
Mirela Milori: Ke patur pamundësinë ekonomike, sa fëmijë ishit në familjen tënde?
Hamëz Brahaj: Jemi 6 gjallë, 2 të vdekur, domethënë 8.
Mirela Milori: Ti nuk e vazhdove shkollën e lartë për pamundësi ekonomike apo..?
Hamëz Brahaj: Për t’i ardhur në ndihmë familjes në atë kohë. U futa në punë.
Mirela Milori: Ti ishe fëmija i madh?
Hamëz Brahaj: Po fëmija i madh!
Mirela Milori: Ti krijove familjen tënde dhe erdhën në jetë 3 fëmijët, të tre me shkollë të lartë. Pamundësia ekonomike ka qenë, megjithatë ti përsëri, nuk pate ndonjë moment që të thoshe pavarësisht sa e dua shkollën e lartë, sikur njërin ta fusja në punë të më ndihmonte?
Hamëz Brahaj: Kam insistuar dhe do vazhdoj akoma të insistoj, që djali meqënëse ka mbaruar shkollën kam dëshirë të punësohet. Tani në Tetor bën 2 vjet pa punë edhe pse me arsim të lartë.
Mirela Milori: Sa janë të ardhurat mujore të familjes tuaj?
Hamëz Brahaj: Deri tani paga minimale neto është 24 mijë lekë në muaj.
Mirela Milori: 240 mijë lekë të vjetra?
Hamëz Brahaj: Po!
Mirela Milori: Si ia ke dalë që të kesh 3 fëmijë studentë në Tiranë me të ardhura 240 mijë lekë apo 250 mijë lekë?
Hamëz Brahaj: Ia kam dalë me borxhe, kam hyrë borxh deri në fyt kur i thonë, vetëm që të shkolloj fëmijët. Jam djegur vetë për shkollë dhe thashë që atë fat që pësova unë, mos e pësojë fëmija im. Edhe aktualisht jam me borxhe.
Mirela Milori: Ke patur ndonjë moment që t’iu thuash fëmijëve lëreni shkollën që të hyni në punë, se duhet të shlyej borxhet dhe s’ia dal dot për ju?
Hamëz Brahaj: Jo, në asnjë mënyrë. Hyn në gjynah me fëmijët, i ndërpret hovin e jetës, i ndërpret zhvillimin e jetës. Për mua është mëkat ti thuash fëmijës. Duhet të hysh në borxh deri në fyt për fëmijët, kështu mendoj unë. Çdo njeri ka ato mendimet e veta./tvklan.al