Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha, pasi ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave që gjetën vdekjen në ujërat e Karaburunit, e ka quajtur ditën e djeshme një të premte të zezë, për të gjithë popullin shqiptar. Për këtë fatkeqësi sipas tij janë përgjegjës të drejtpërdrejtë qeveritarët shqiptarë, pasi ishte papunësia e lartë dhe varfëria e tejskajshme ajo që i detyroi këta njerëz të marrin rrugën drejt shtetit fqinj.

Berisha ka kundërshtuar gjithashtu edhe shpalljen e ditës së zisë kombëtare në datën 12 Janar, pasi kjo datë është dhënë me qëllim për të mos prishur pushimet e kryeministrit Nano që ndodhet në Turqi.

Sali Berisha:- “Shpallëm një ditë zie, me mendimin se edhe shteti do të gjejë dhe deklarova se në rast se shteti do të shpallë një ditë zie, nesër do i bashkangjitemi dhe ditën e zisë e caktuan pas mbarimit të pushimeve të kryeministrit. Duhet që kryeministri të përfundojë pushimet pastaj shqiptarët të bien në zi, sa të jetë ai në pushime, as lot dhe vaje nuk mund të ketë ky popull. Ky është një turp. Edhe njëherë unë u shpreh ngushëllimet e mija familjarëve dhe natyrisht, duke shprehur respektin, duke shprehur dhimbjen, i sigurojë, se të paktën transparencë të plotë do përpiqemi të bëjmë në sesionin e ardhshëm të parlamentit për shpirtrat e atyre që ngrinë në ujërat e akullta të Jonit. Kjo tragjedi është organizuar tërësisht nga segmente të shtetit, janë ofiqarët e lartë të policisë të cilët, në një anë bërtasin për suksesin, në anën tjetër krijojnë mekanizmin e vdekjes së shqiptarëve në det”.

Ndërkohë kryetari i bashkisë së qytetit të Shkodrës Artan Haxhi, ka shpallur ditë zie 11 Janarin dhe ka ftuar qytetarin të hedhin tufa lulesh në lumin Bunë, në nderim të viktima vetë ditës së djeshme, pjesa më e madhe e të cilëve ishin nga ky rreth./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora