Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Partia Demokratike shpreson të mos përsëritet më rasti i Dëshira Subashit. Në mbledhjen e grupit parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, i kërkon presidentit Alfred Moisiu, të marrë parasysh akt-marrëveshjen e arritur mes PS dhe PD, për zëvendësimin e njërit prej anëtarëve të KQZ.

Sali Berisha: “Ligji ishte po kaq i qartë edhe herën e parë dhe nuk u zbatua dhe presidenti i republikës u shndërrua në një instrument të rrënimit të procesit zgjedhor, të fatos Nanos. U pa e nevojshme që paraprakisht të bihej dakord që marrëveshja do i dorëzohej zyrtarisht presidentit dhe tani është në tryezën e tij.”

Nga ana tjetër Berisha ka sulmuar kreun e shtetit për kandidaturën e Robert Çekut në KLSH. Kryedemokrati akuzon presidentin Moisiu si përçarës institucionesh. Sipas tij, nuk respektoi opozitën për emrat e propozuara prej saj.

Sali Berisha: “Presidenti në misionin e tij, nga president konsensual, ka marrë përsimër të jetë presidenti i përçarjes kombëtare më të madhe të këtij vendi, një përçarës i vërtetë, primitiv, që nuk respekton as parimet më elementare të pluralizmit. Unë i kujtoj presidentit, se vërtetë ai u mor nga pensioni dhe u çu në institucionin e presidentit, por u mor me konsensus dhe kjo nuk do të thotë që ai mund të marrë dhe të emërojë si të dojë. Unë ju sigurojë që Haxhi Lleshi, do ta kishte shumë zili këtë monizëm, këtë pseudopluralizëm, këtë primitivizëm ndaj parimeve fondamentale të demokracisë të presidentit aktual.”

Berisha gjithashtu përshëndet fitoren e Rugovës në zgjedhjet e Kosovës dhe mënyrën e qytetëruar për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme./tvklan.al

Gazetare: Gerta Gixhari