Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Partia Demokratike kërkon të gjejë drejtësinë e votave të kandidatit demokrat për bashkinë e Tiranës Spartak Ngjela, me anë të protestave masive. Elektorati i PD është njohur drejtpërdrejt me thirrjen për nisjen e protestave ditën e hënë. Në funksion të mbrojtjes së votës së lirë, demokratët do të dalin në shesh për të protestuar vjedhjen e votave të kandidatit demokrat Spartak Ngjela.

Spartak Ngjela:- “Ne e kemi bërë vetë, e kemi krijuar vetë situatën e zgjedhjeve të lira, e kemi marrë me forcë pluralizmin, me sakrifica dhe unë them, që nuk duhet të na i rimarrin, sepse ka shenja, ka vula të rënda të cilat do t’i heqim dhe unë jam i bindur se do t’i heqim dhe për faktin që ne kemi filluar në Tiranë për ta rrëzuar diktaturën, këtu duhet të fillojmë dhe këtu duhet të fitojmë”.

Më pas të pranishmit në sallë janë njohur me procesverbalet, që vërtetonin fitoren e Ngjelës. Sipas dokumenteve të paraqitura nga PD, 10 mijë e 509 persona të deklaruar simpatizantë të PD, nuk kanë votuar më 12 Tetor, pasi emrat e tyre janë hedhur nga lista e zgjedhësve. Kryetari i PD Sali Berisha nuk ka nguruar të komentojë edhe kandidimin e Ramës për kryetar partie.

Sali Berisha:- “Në skutat e “klanit të Zemunit”, Fatos Nano, Edvin Rama dhe Kokajt, që janë banda kriminale sot më e rrezikshme e Shqipërisë dhe e Ballkanit, e detyruan Edvin Ramën të kandidojë paralel me Fatos Nanon, në mënyrë që të legjitimojë garën e tij, sepse Mejdani përbënte tmerr për Nanon. Ne nuk kemi asnjë interes të futemi në problemet e tyre, por për ne çështja e votës së lirë është një çështje për jetën ose vdekjen e demokracisë”./tvklan.al