Pallati i Kongresit në Tiranë mirëpriti panairin austriak gjerman-zviceran, një eveniment i organizuar nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.
Mbi 60 biznese austriake, gjermane dhe zvicerane prezantuan fjalën e fundit të teknologjisë moderne në disa fusha të ekonomisë.
Në çeljen e këtij panairi mori pjesë edhe kryeministri Sali Berisha, i cili e cilësoi këtë eveniment si një ngjarje të madhe për biznesin, ekonominë dhe Shqipërinë në tërësi.
Për Berishën, ky panair është një shtysë pozitive për rritjen e investitorëve të huaj në vend e në këtë kontekst, kreu i qeverisë tha se ekonomia shqiptare po performon pozitivisht për faktin se është e vendosur në binarë të shëndoshë dhe vendi ka një program super ambicioz të investimeve publike.
Sali Berisha: “Ekonomia shqiptare rezistoi dhe performoi mjaft mirë në këtë periudhë krize, sepse është e vendosur në binarë të shëndoshë, në parime të shëndosha. Ajo rëndon më pak se çdo ekonomi tjetër, me taksa dhe tarifa, bizneset e vendit. Shqipëria ka aparatin burokratik dy herë më të vogël se çdo vend tjetër rajonal. Shqipëria ka një program super ambicioz në investimet publike. Fakti që, siç theksoi, ambasadori i Republikës Federale Gjermane, prania e pjesëmarrësve në këtë panair, krahasuar me një vit më parë, është dy herë më e madhe. Është dëshmi e një rritje të madhe të besimit në ekonominë shqiptare.”
Në fjalën e tyre, përfaqësuesit diplomatikë të Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës vlerësuan klimën e mirë të biznesit në Shqipëri, që përbën një arenë të mirë investimesh.
“Shumë faleminderit.”
Firmat dhe kompani që prezantohen në panair janë përfaqësues nga sektorët e energjetikës, ndërtimit, sistemit bankar, telekomunikacionit, linjave ajrore, industrisë farmaceutike dhe asaj ushqimore.
Ky panair do të shërbejë jo vetëm për kontakte bilaterale, por edhe për organizimin e forumeve dhe tryezave të rrumbullakëta me problematikën që kanë sipërmarrësit dhe me shkëmbimin e eksperiencave dhe përvojave në vendin tonë./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle