Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Humbja e mazhorancës në parlament do të shfrytëzohet në momentin më oportun nga opozita, për të verifikuar shumicën reale në parlament. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha shpjegon, se mazhoranca nuk ekziston më, e ky fakt do të shikohet me vëmendje nga opozita, për hapat që do të ndjekë.
Sali Berisha: “Po vëzhgojmë një soditje aktive, po bëjmë një soditje aktive. Ju siguroj që nuk mund të ketë mëdyshje në momentin e duhur nga PD, hiqeni nga mendja”.
Përpjekja e Partisë Socialiste që mund të konsolidojë shumicën në parlament, duke rinegociuar me aleatët, cilësohet nga kryedemokrati, si lojë mashtruese e kryeministrit Nano.
Sali Berisha: “Shumicë nuk ekziston aty, tani ai ç’po bënë këto ditë, tani mashtron aleatët u thotë, se t’i do të bëhesh ministër, ta zëmë i Punëve Publike, ministrit të Punëve Publike i thotë, ç’ke ti nuk të lëviz kush ty, ekzakt kjo është puna është shumë reale kjo skemë është i papërgjegjshëm. Xhuvelit i premton ministrin e Mjedisit, Et’hemit i thotë, ti je më i shkëlqyeri nuk lëviz fare. Kjo është tallja me vendin është njeri i papërgjegjshëm”.
Berisha kërkon që të mos mbetet fajtori për prishjen e marrëdhënieve me kreun e shtetit, në një kohë kur kryeministri Nano i hedh poshtë dekretet. Sipas tij, marrëdhëniet jo fort të qëndrueshme midis Berishës dhe kreut të shtetit Moisiu, nuk vijnë nga kryetari i opozitës.
Sali Berisha: “Atë e ka paralizuar totalisht Fatos Nano, ai deklaron se po bën presion Berisha, në një kohë kur ne i kemi votuar dekretet atij”.
Kryetari demokrat duke iu rikthyer çështjes së Kasharit, ka paraqitur qëllimin e falsifikimit të regjistrit në hipotekë, që sipas Berishës, 240 hektarë tokë synohet të futet në vijën e verdhë të Tiranës, për t’u shndërruar në një zonë ku të ndërtohet për qëllime përfitimi nga pushtetarët./tvklan.al