Brenda Janarit 1100 ish-të përndjekur politik do të mund të përfitojnë kompensim financiar për vitet e tyre të burgut.
I mbledhur mesditën e hënë, këshilli i ministrave ka miratuar fondin prej 2 miliard lekësh që do të shërbejë për kompensimin e atyre që kanë vuajtur në burgjet e komunizmit, ndërsa kryeministri Berisha ka premtuar se dhe kompensimi financiar për ish-pronaret i shtyre për shkak të disa problemeve procedurale, do të mund të kryhet brenda dy javëve të para të Janarit.
Sali Berisha: “Këto dy miliard i përkasin këtij viti. Ligji i parlamentit përcakton qeveria do të japë 105 nga të gjitha privatizimet për të përndjekurit dhe për pronarët. Janë bërë të gjithë përgatitjet që këto dy kategori të mund të përfitojnë atë që u takon në një kohë sa më të shkurtër”.
I hartuar nga Ministria e Punëve Publike këshilli i ministrave ka miratuar për të çuar më pas në parlament për diskutim dhe projektligjin për planifikimin dhe administrimin e territorit, një ligji i cili do t’i japë sipas Berishës fund masakrës urbane dhe abuzimeve të bëra deri tani me dhënien e lejeve të ndërtimit.
Sali Berisha: “Projektligj, i cili vendos në një bazë tërësisht të re ligjore procesin e planifikimit dhe administrimit të territorit dhe zgjidhje bashkëkohore për të gjitha pengesat burokratike që kanë nxitur gjer sot me vonesat dhe me mospërcaktimet, ilegalitetin dhe ndërtimet ilegale, ku leja e ndërtimit nuk mund të jetë mbi 45 ditë vonesë”.
E cilësuar si pjesë e rëndësishme e reformës në shëndetësi qeveria i ka dhënë gjithashtu okayn dhe projektligjit për kujdesin shëndetësor.
Kryeministri ka deklaruar se pavarësisht vështirësive kjo reformë po ecën, megjithëse do të duhet më shumë se një vit për t’u dukur rezultatet konkrete në dhënien e një shërbimi cilësor shëndetësor për qytetarët./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka