Kryeministri Sali Berisha prezantoi në Elbasan vizionin qeverisës për një Shqipëri të distancave të shkurtra bashkëshoqëruar dhe me një projekt konkret rrugën e re Tiranë-Elbasan si segmenti i parë i boshtit të jugut.

Ministri Lulzim Basha e cilësoi projektin mjaft të rëndësishëm, premtim të mbajtur të qeverisë Berisha.

Lulzim Basha : “Në aktivitetet tona politike para dhe gjatë fushatës angazhimi i kryeministrit shprehej në ndërtimin e rrugës së re Tiranë-Elbasan. Kjo dilemë atëherë nuk kishte marrë akoma përgjigje dhe nuk mund të merrte një përgjigje populiste sa për të kaluar radhën, nuk ishte para zgjedhjeve po ishte pas zgjedhjeve që kjo dilemë mori përgjigje përfundimtare. Një përgjigje që i shkon mazhorancës së kryeministrit Berisha, jo rrugën më të lehtë, por rrugën më të shkurtër, më të mirë, rrugën më evropiane që lidh Tiranën me Elbasanin.”

Ministri Sokol Olldashi bëri prezantimin e projektit realizuar në një prej firmave më të mira italiane “Bonifika”. Distanca Tiranë-Elbasan shkurtohet në vetëm 31.17 kilometra.

Sokol Olldashi: Për të arritur në trajektoren përfundimtare janë shqyrtuar disa alternative. Alternativa e parë ka qenë alternative Tiranë- Lundër-Mullet. Alternativa e dytë ka qenë alternativa Vaqarr-Arbanë-Papër dhe alternative e tretë alternative Pezë e Vogël- Vrap-Bicaj. Ne kemi zgjedhur si version përfundimtar dhe kemi draftuar, kemi përfunduar projektin për alternativën e parë që është alternative më e shkurtër duke i mbetur synimit politik të qeverisë që trajektoret e infrastrukturës së madhe të vendit të përshkojnë akset më të shkurtra.”

Kryetari i qeverisë, mbështetësi fortë i realizimit të kësaj rruge tha se ky projekt ka një rëndësi të madhe për vendin. Së pari e shndërrona Elbasanin në pjesë integrale të Tiranës.

Sali Berisha: “Kjo autostradë realizon një ëndërr të qytetarëve të Elbasanit, për të arritur në Tiranë duke çarë malet dhe faktikisht kjo do të ndodhë gjatë këtyre dy viteve që vijnë. Kursen së paku 40 minuta. Jo vetëm qytetarëve të Elbasanit por të gjithë qytetarëve të Shqipërisë juglindore dhe jugore. Shndërrohet në një faktor madhor zhvillimi. Krijon një treg të gjithanshëm, të përbashkët me kryeqytetin. Tregun e punës, tregun e shitjeve, tregun në tërësi. Rrit me progresion gjeometrik vlerën e tokës.”

Autostrada do të ketë 4 korsi e pajisur ndër të tjera dhe me një numër të madh vijaduktesh, 21 të tilla, 7 mbikalime dhe 4 nënkalime. Me një numër të konsiderueshëm urash disa prej tyre më të gjata se 400 m. Investimi më i rëndësishëm i saj është tuneli me një gjatësi prej 2.4 kilometrash,  i ngjashëm me tunelin e Bolzanos në Itali. Shpejtësia e udhëtimit do të variojë nga 100 deri 120 km në orë, por bashkë me këtë segment qeveria ka në plan të mbyllë brenda 4 vitesh gjithë boshtin rrugor të jugut.

Sali Berisha: “Kemi përfunduar edhe projektin e boshtit të Jugut, Berat-Tepelenë, 40 km, gjysmë ore. Nga Memaliaj në Berat. Pra në kompleks boshti i Jugut, segmenti  i parë it ë cilit është autostrada Tiranë–Elbasan ka një kosto shumë të lartë, më të lartë ndofta sesa autostrada Durrës-Morinë. Por është e domosdoshme, sepse nuk mundet që të shkojnë shqiptarët më shpejt nga Tirana në Prishtinë, sesa nga Tirana në Sarandë. Ne nuk tërhiqemi. Ne do ndërtojmë tunele. Asgjë nuk mund të vlerësohet. Koha e qytetarëve shqiptar. Fuqia e Romës qëndron të rrugët e saj. Këtë mëson historian ë 4 vjet. Ne do të bëjmë që Shqipëria të ketë rrjetin rrugor më modern në Ballkan, ndër më modernit në Evropë.”

Kryeministri tha, se qeveria që drejton është e sigurt për projektet e saj, siguri që buron nga situata  e favorshme ekonomike.

Sali Berisha: “Është e vetmja ekonomi në Evropë që nuk u përkul nga kriza. S’e them unë këtë. Këtë e thotë mbarë shtypi botëror . Këtë ja u tha 3 ditë më parë fondi monetar. Këtë e thonë të gjitha institucionet.”

Kryeministri tha, se vendosja e një barre të ulët fiskale garantoi ritmet e larta të rritjes ekonomike  sikundër zbatimi i një vizioni të një qeverie  të vogël, ku qytetarët paguajnë gjithnjë e më pak.

Kjo do të  jetë filozofia e qeverisjes edhe gjatë këtyre 4 viteve, tha zoti Berisha, që do të përkthehet në vazhdimin e rritjes së pagave dhe pensioneve.

Sali Berisha: “Ne kemi respekt të madh për institucionet ndërkombëtare. Ne bashkëpunojmë ngushtësisht. Ne negociojmë . Nuk kemi hequr dhe nuk heqim dorë nga rritja e rrogave dhe pensioneve dhe politika jonë është faktuar e suksesshme. Marrëzira dhe absurde fjalë se këta s’kanë me pagu rrogat. Kemi, do kemi, i kemi rritur , do t’i rrisim rrogat dhe pensionet. Ku i marrim këto pare do thoni ju. Por në  radhë të parë burokratëve ja u marrim. A i hoqëm veturat?  A e dini ju që një shofer kushtonte 19 mijë dollarë në vit. Po ju shkurtojmë shpenzimet e zyrave, tonelata letër shpenzojnë në Këshillin e Ministrave përpara. I kini para ato laptopët para ministrave. Nuk ka më letra. Kursim!”

Kryeministri tha, se qeveria do të vazhdojë investimet e mëdha në infrastrukturë nisur dhe nga mbështetja e fuqishme ndërkombëtare.

Zoti Berisha përmendi kredinë e butë disa miliona euro të qeverisë japoneze apo dyfishimin e ndihmës gjermane për Shqipërinë. Shprehje kjo sikundër tha, Besimi tek stabiliteti i ekonomisë shqiptare./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi