Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kujdes me zgjedhjet e përgjithshme, përndryshe do të ngrijmë Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit. Kjo ka qenë deklarata e ambasadorit të Komisionit Europian në Shqipëri Lutz Salzman gjatë një konference për shtyp.

Lutz Salzman: “Mos gjetja e konsensusit për çështjet e kodit zgjedhor, do të ishte për ne një mesazh shumë negativ. Mungesa e konsensusit në këtë çështje do të thoshte zgjedhje jo të mira. Nuk shoh se në ç’terma do të mbyllim Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit, nëse zgjedhjet nuk do të mbylleshin mirë. Në rastin më të keq, bisedimet për Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit, do të ngrijnë”.

Salzman përshëndeti kthimin e ligjit të pronave në parlament, nga ana e presidentit, por kritikoi parlamentin, që sipas tij nuk përfitoi nga ky rast për gjetjen e konsensusit.

Lutz Salzman: “Jemi mjaft të kënaqur që presidenti i dha një tjetër mundësi parlamentit dhe partive politike për të rishikuar ligjin e pronave. Duket se parlamenti nuk e përdori plotësisht mundësinë që iu dha, sepse përmirësimet ishin të vogla dhe ligji kaloi përsëri pa konsensus të gjerë. Të paktën jam i lehtësuar, sepse kam dëgjuar zëra nga opozita që nuk do të bllokojë implementimin e këtij ligji”.

Sipas Komisionit Europian, ecuria e përgjithshme është vendimtare për MSA, Salzman i bënë thirrje të gjithë forcave politike të përpiqen të gjejnë konsensusin për të siguruar ecurinë e këtyre zgjedhjeve. Listat zgjedhore, janë prioritet i KE për zgjedhjet, tha Salzman, ndërsa citonte pjesë të komisionerit Kris Paten, dërguar kryeministrit Nano.

Salzamn ka bërë akuza dhe kritika të ashpra ndaj politikanëve dhe përfshirjes së tyre në afera të dyshimta.

Lutz Salzman: “Elita politike duhet të distancohet nga ekonomia e zezë. Nuk është gjë e mirë që biznesmenët me të kaluar të dyshimtë të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme”.

Kreu i përfaqësisë së KE, i bëri thirrje qeverisë të hartojë plane të qarta për reforma të gjithanshme për vitin e ardhshëm dhe kërkoi vullnet më të madh politik, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./tvklan.al