Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Puna e gjatë për rindërtimin e Gadishullit të Ballkanit pas luftrave në Jugosllavi ka filluar sot në qytetin Italian jugor të Barit. Ekspertët dhe përfaqësues të Paktit të Stabilitetit të zonës po kërkojnë të fillojnë një nismë të përbashkët për të sjell stabilitet, zhvillim ekonomik dhe paqe të përhershme në rajon. Tre shtyllat e Paktit të Stabilitetit janë publikuar gjatë samitit të Sarajevës dy muaj më parë ku morën pjesë dhjetra krerë shtetesh e qeverish përfshi dhe presidentitn e SHBA Bill Klinton.

Komuniteti Ndërkombëtar ka shpallur sot në Bari synimin për vendosjen e piketave në rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Ballkanit. Midis temave që do të diskutohen sipas drejtuesve të samitit do të jetë integrimi i vendeve të Ballkanit në strukturat europiane. Krahas rindërtimit material synohet përfundimi gjithashtu i punës për rindërtimin social dhe civil midis popujve të rrënuar në vitet e luftës. Por rindërtimi shihet të jetë i vështirë pa Serbinë dhe komuniteti ndërkombëtar parapëlqen të shikoj një Serbi më demokratike dhe pa Millosheviçin.

Javën e ardhshmë në Finlandë në një samit të jashtëzakonshëm të Bashkimit Europian, Italia do të propozoj krijimin e një konference Adriatik-Jon, nën mbikqyrjen e BE për të zgjidhur problemet e krimit dhe trafikut ilegal./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori