Qyteti i bukur i Sarandës është në fokus të tabloidit britanik “Birmingham Mail”. Kjo e përditshme thekson se Saranda është destinacioni ideal për të gjithë pushuesit që kërkojnë det, rërë dhe mot me diell.
Destinacioni ende i pazbuluar nga turistët e huaj është i njohur për plazhet me rërë, ujërat e pastër dhe atmosferën e qetë. Saranda ka një klimë mesdhetare, me temperatura maksimale deri në 34 gradë Celsius në korrik dhe gusht, duke e bërë atë një vend të shkëlqyer për pushime në plazh.
Në shëtitoren e qytetit ka restorante, dyqane dhe bare dhe turistët britanikë mund të shijojnë pijet lokale me çmime të lira. Larg bregut të Sarandës, turistët do të kenë mundësi të eksplorojnë Kalanë e Lëkurësit që ofron një pamje të mrekullueshme ndërsa rekomandon udhëtarët të shijojnë një darkë në muzg në restorantin e kalasë. Në Sarandë ndodhet edhe Syri i Kaltër, një monument natyre që tërheq çdo vit mijëra turistë.
Adhuruesit e historisë mund të vizitojnë Butrintin i cili mbrohet nga UNESCO që gjendet në Ksamil afër Sarandës. Në qytezën e vogël pushuesit do të gjejnë plazhe shpesh të krahasuara me ato të ishujve Maldive.
Tabloidi britanik thekson se në Sarandë nuk ka ende një aeroport, kështu që mënyra më e shpejtë për të arritur atje është që britanikët të fluturojnë drejt Tiranës dhe më pas të marrin një autobus ose taksi.
Fluturimet direkte nga Aeroporti i Birminghamit drejt Aeroportit të Tiranës vijnë me çmime mjaft konkurruese për shkak edhe të futjes së linjave të reja ajrore.
Klan News