Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer u largua nga Kosova, pas një sërë takimesh të ngjeshura me liderët kosovarë dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare. Gjatë vizitës në komandën e trupave të NATO-s në pjesën veriore të vendit, skenë e kundërshtimeve të ashpra të pjesëtarëve të komunitetit serb ndaj pavarësisë së Kosovës, Scheffer tha, se nuk mund të ketë ndarje territoriale të Kosovës dhe se mbi 16 mijë trupat e NATO-s, janë atje për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
Sipas tij e dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, NATO-ja ka përgjegjësinë kryesore në fushën e sigurisë si dhe ajo do të bëjë trajnimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila pritet të themelohet vitin e ardhshëm.
Vizita e tij njëditore e Schefferit ishte pjesë e përpjekjeve për qartësimin e mandatin të pranisë ndërkombëtare UNMIK në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës.
Ndryshimi i paralajmëruar i UNMIK-ut, është kundërshtuar ashpër nga Beogradi dhe serbët e Kosovës, ndërsa Prishtina i ka kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, që periudha e kalimit të përgjegjësive nga UNMIK-u tek misioni i Bashkimit Europian EULEX-i të jetë sa më e shkurtër./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle