Kancelari gjerman Olaf Scholz ka shprehur gatishmërinë për tu përballur me votëbesimin në parlament përpara Krishtlindjeve.

Vendimi mund t’i hapë rrugën për zgjedhje te parakohshme pas rënies së koalicionit qeverisës.

“Nuk është aspak problem për mua që të kërkoj një votëbesim përpara Krishtlindjeve nëse të gjithë janë dakord.”

Scholz fillimisht e kishte planifikuar mocionin për më 15 Janar. Ai hodhi poshtë zërat se orkestroi prishjen e koalicionit të tij qeverisës.

“Një lojë po luhej ndërsa koalicioni u përça. Unë nuk e provokova atë. Pa përpjekjet e mia të përsëritura për të arritur bashkëpunimin dhe kompromisin, qeveria nuk do të kishte patur këtë jetëgjatësi. Ajo as nuk do të ishte formuar.”

Kriza e koalicionit, që vjen pas mosmarrëveshjeve mbi politikën ekonomike, u përshkallëzua kur Scholz shkarkoi ministrin e Financave Christian Lindner të Demokratëve të Lirë.

Nëse Scholz humb në Parlament, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier do të ketë 21 ditë kohë për të shpërndarë Bundestagun dhe zgjedhjet duhet të zhvillohen brenda 60 ditëve.

Klan News