Presidenti i klubit sportiv “Partizani” Albert Xhani është paraqitur në Gjykatën e Tiranës e cila ka lënë në fuqi masën e sigurisë me burg, pavarsisht se avokati i tij mbrojtës ka paraqitur argumente të forta për akuzat që rëndojnë ndaj klientit të tij. Sipas avokatit Fatmir Braka, akuza për tjetërsim pasurie është e amnistuar nga një dekret i marsit të vitit ‘97, ndërsa për akuzën e shpërdorimit të detyrës mbrojtja e Xhanit tha se për këtë të fundit klienti i tij ka vetëm përgjegjësi civile dhe jo penale.
Fatmir Braka: “Pasi tjetërsimi i pasurisë për të cilën erdhi për gjykim Albert Xhani, me atë çështje që cituam më parë me procedimin 11-96, është e amnistuar. Edhe në themel flitet vetëm për kontrata juridiko-civile, flitet për marrëdhëniet juridiko-civile midis shoqërive tregëtare, flitet për marrëdhëniet juridiko-civile tregëtare ku dihet që përgjegjësitë janë vetëm civile dhe detyrimet janë vetëm juridiko-civile, mbasi është vendi të kujtoj që Konveta Europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut parashikon në një dispozitë të posaçme që askush nuk mund të përgjigjet, për shkakun se zbaton një kontratë civile, përgjigjet penalisht, do të gjykoja që edhe shpërdorimi i detyrës do jetë një lloj farse do ta quaja ose njëlloj falsiteti do ta quaja si momenti i tjetërsimit të pasurisë. Ndaj dhe deri tani nuk është kryer ky veprim nga ana e prokurorit për marrjen e tij si i pandehur.”
Ndërkohë përfaqësuesi i akuzës Kol Hysenaj ka deklaruar se i qëndron kërkesës së tij për masën e sigurisë me burg duke e lënë ende të dyshimtë arrestimin e Albert Xhanit të shtunën e kaluar.
Kol Hysenaj: “Ne i kemi kërkuar gjykatës të caktojë masë sigurimi arrest burg pasi ekziston rrezik për marrjen dhe sigurinë e provave gjatë hetimeve që do zhvillohen dhe, konkretisht, gjatë kohës që i pandehuri hetohej ka kryer përsëri veprime të tjetërsimit të pasurisë dhe, konkretisht, duke shitur një truall në të cilin ka patur dhe vijën prej 848 m2.”
Seanca ka qenë e tensionuar hera-herës derisa gazetarë janë përzënë nga salla e gjyqit. Para se gjyqtarja Alma Bejte të mbyllte seancën për komunikimin e masës së sigurisë presidenti i klubit “Partizani” Albert Xhani, i arrestuar dy ditë, më parë ka kërkuar lirimin e tij.
Albert Xhani: “Ta thashë edhe njëherë zonja gjykatëse, nuk e kam për turp që kam shitur mallin tim shtrenjtë, por e kam për turp që sot më rëndojnë prangat e atyre njerëzve që s’flas dot më dhe është inati, është mllefi, është xhelozia, por unë nuk kam bërë asgjë te “Partizani” veçse kam 5 vjet, nëse verifikohet që kam marrë qoftë edhe 1 dollar të vetëm nga çfarëdolloj institucioni shtetëror apo donacione të ndryshme, qoftë edhe private, unë të thërritem para gjyqit. Ju lutem zonja gjykatëse, nëse juve do të më lironi mua, keni liruar gjithë tregtarët e ndershëm shqiptarë, nëse ju do të më arrestoni mua, nuk do bëni asgjë tjetër po do t’i frikësoni të gjithë shqiptarët të largohen nga ky vend. Ju faleminderit!” /tvklan.al