Pas diskutimeve në qeveri, kryeministri Berisha ka paraqitur në parlament buxhetin e vitit 2010, të cilin e quajti historik, jo vetëm sepse është më i madhi që Shqipëria ka patur ndonjëherë por edhe sepse sipas tij përbën një hap të guximshëm për sfidat integruese të vendit .

Sali Berisha: “Buxheti i vitit 2010 është historik sepse është buxheti i vitit të parë të ecjes tonë të sigurt drejt integrimit të plotë në BE. Është historik sepse ky është buxheti që parashikon rritje më të madhe se sa buxheti i çdo qeverie tjetër në këtë kontinent në kohën e krizës më të thellë. Ne guxojmë tu paraqesim shqiptarëve një buxhet që bazohet në rritjen ekonomike, një buxhet që bazohet në rritjen e të ardhurave prej 12%, një buxhet që bazohet në rritjen e investimeve publike dhe mbi të gjitha një buxhet që bazohet në rritjen e madhe të faturës sociale duke bërë këtë shtet dhe këtë qeveri gjithnjë e më social.”

Për Ministrin e Financave, Ridvan Bode dhe atë të Brendshëm, Lulzim Basha, buxheti i vitit 2010 garanton rritje në fushat prioritare, siç janë infrastruktura, siguria, investimet, shëndetësia e arsimi dhe në veçanti fondet që i shkojnë pushtetit lokal.

Ridvan Bode: “Pagat parashikohen të rriten nga 1 Korriku në nivelin 4-10%. Pensionet do të rriten respektivisht 7-15%, përkrahja dhe ndihma sociale rriten me 15%. Ulja e mëtejshme e shpenzimeve administrative të aparateve të administratës qendrore merr një kthesë të veçantë në buxhetin e vitit 2010. Ftojmë pushtetin vendor që të adoptojë të njëjtën filozofi qeverisëse, pasi në 4 vitet e fundit janë rritur me plot dy herë shpenzimet administrative të pushtetit lokal.”

Lulzim Basha: “Buxheti i vitit 2010 garanton plotësisht angazhimin e qeverisë së kryeministrit Berisha sa i përket këtij kriteri themelor, i cili është jo vetëm i rëndësishëm për përmbushjen e detyrimeve tona për heqjen e vizave për qytetarët shqiptar. Qendror në këto objektiva mbetet padyshim përmbushja e kritereve të Shqipërisë sa i përket udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe konkretisht 3 blloqeve kryesore, dokumenteve të sigurta të udhëtimit, sigurisë së kufijve dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”

Më herët, 60 minutëshi i diskutimeve të lira u shfrytëzua nga mazhoranca për t’i bërë thirrje opozitës që t’i kthehet dialogut. Duke iu përgjigjur ftesës së deputetit të PBDNJ-së, Vangjel Dule për gjetjen e një kompromisi, kryeministri Berisha tha se rruga që Edi Rama ka zgjedhur për të bërë politikë nuk mund të pengojë integrimin e vendit.

Sali Berisha: “Zoti Dule i thuaj atij shefit të opozitës që ka 3 muaj që me megafon shefi çdo ditë nga mëngjesi në darkë për pronat e Sali Berishës ku ai ka vetëm një apartament dhe çdo pronë tjetër i falet çdo shqiptari. Dhe unë si përmend asgjë përveç se ftesës, i thuaj se me asnjë forcë në botë nuk do mund të nxish aktin madhor historik të zgjedhjeve të lira që zhvilluam. I thuaj mund të bësh çfarë të duash, çdo veprim, çdo akt, por kompromis me zgjedhje të justifikuara unë nuk të bëj. E dyta të mos mendojë ai se më imponon koalicion apo kompromis historik. Absolutisht jo në qiell e në tokë të hyp e të zbresë. Ky koalicion do përmbushë detyrimin para shqiptarëve, është e vërtetë që pengohen disa ligje me …, por u garantoj ju se Shqipërisë nuk i mungon asnjë një ligj i vetëm, i cili ti mbyllë dyert e integrimit apo liberalizimit të vizave. Jo dhe jo zotëri, në qoftë se ndokush mendon tu thotë shqiptarëve s’më duhet Evropa se kam Haxhi Qamilin, edhe unë do ti them mbaj Haxhi Qamilin, ne do zgjedhim Evropën.”

Ilir Meta: “Kapitulli i zgjedhjeve është i mbyllur, kapitulli i arritjes së standardeve më të larta është i hapur, për këtë janë dhe rekomandimet e raportit të OSBE-ODIHR, për këtë i është bërë ftesa edhe opozitës që ta marri ajo lidershipin për t’i përmirësuar më tej të gjitha këto standarde.”

Lulzim Basha: “Përpjekjet e turpshme të konfirmuara si të tilla nga zyrtarë të lartë të Brukselit dhe diplomatë evropian të zotit Edi Rama dhe disa prej ndihmësve të tij për të penguar dhe për të lobuar kundër procesit të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë. Kam patur instrument kryesor dezinformimin e partnerëve tanë evropian. Sa i përket treguesve kryesor të Shqipërisë, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Sa i përket treguesve kryesorë të  Shqipërisë në raport me objektivat kryesore siç janë dokumentet e sigurta dhe regjimi kufitar shqiptar.”

Pas thirrjes së mazhorancës drejtuar opozitës, deputetët kanë vijuar diskutimet mbi projektbuxhetin e vitit 2010, i cili do të kalojë nen për nen në seancën plenare të së enjtes./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro