Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Mbi katër orë ka zgjatur sot dëshmia e Perikli Tetës, në një seancë speciale në Gjykatën e Tiranës, me qëllim sigurimin e provave lidhur me çështjen Hajdari. Në këtë seancë kanë qenë përball njëri-tjetrit Perikli Teta dhe Fatmir Meta, për të hedhur dritë mbi zhvillimet e datës 13 Shtator 1998, një ditë pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari.

Fatmir Meta ka deklaruar, më parë në prokurori, se pikërisht në këtë datë ai i ka kërkuar ministrit Teta të arrestojë Jaho Salihin. Në seancën e sotme Teta tha, se ai nuk merrte urdhra nga vartësit e tij. Kjo seancë speciale u bë për sigurim prove, pasi zoti Teta nuk kishte pranuar të nënshkruante dëshmitë e tij në prokurori.

Perikli Teta:- “Unë kam thënë që ditën e parë, që kam dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Rendit, se vihem në dispozicion të drejtësisë dhe këto kanë qenë dy shkaqet që unë kam dhënë dorëheqje, të cilat i kam deklaruar edhe në prokurori. Të vihem para drejtësisë, pasi të akuzuarit për vrasjen e Hajdarit ishin persona të policisë dhe e dyta ishte jashtë konceptit tim moral e atyre që braktisën shtetin. Sot kam deponuar të gjitha faktet dhe i kam dhënë dhe një material prokurorisë prej 60 faqesh deponime”.

Gazetarja:- Sipas jush Fatmir Meta ka gisht në vrasjen e Hajdarit?

Perikli Teta:- “Këto janë probleme të gjykatave. Unë i jam përgjigjur çdo pyetje që më është bërë rreth Fatmir Metës. Kasetën time në prokurori e kam lexuar dje bashkë me një material në Prokurorinë e Përgjithshme, nuk ka diferenca. Nuk e kam pasur dhe nuk e kam zakon që të marr udhëzime nga vartësit e mi”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego