Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën është mbledhur ditën e sotme për të shqyrtuar kërkesën e Grupit Parlamentar të PD-së për anulimin e votimit të projektligjeve në seancën plenare të datës 7 Mars 2024.

Pas mbledhjes, Sekretariati ka vendosur të pranojë kërkesën e grupit të PD-së duke anuluar votimin e 7 Marsit dhe në këtë mënyrë projekligjet do të votohen në një seancë tjetër plenare.

Mes projektligjeve që u votuan në seancën e 7 Marsit ka qenë edhe “projektligji për disa ndryshime në ligjin nr.55/2015 për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë të ndryshuar”, që do të hidhet sërish në votim.

Foto: Projektligjet e hedhura në votim në seancën e 7 Marsit 2024

Seanca e 7 Marsit u zhvillua mes zhurmës dhe kaosit. Pas seancës, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha në një prononcim për mediat se nuk kishte kuorum, por seanca u zhvillua për të miratuar pr/ligjin për investimet strategjike.

“Deklarohet që janë prezentë 68 deputetë dhe kjo nuk e ndal vrullin e drejtueses së seancës për të miratuar ligjin për investime strategjike”, tha Bardhi.

Ai hodhi akuza ndaj nënkryetares së parlamentit, Ermonela Felaj, që ishte në drejtimin e seancës duke u shprehur se ligji për investimet i shërben oligarkëve dhe disa grupeve kriminale. Bardhi deklaroi ndër të tjera se aktet ligjore që u kaluan në atë seancë nuk konsiderohen të miratuara ligjërisht./tvklan.al