Javën e kaluar Elena Pici është emëruar si sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Brendshme. Kjo gjë u komentua gjatë nëpër media, sepse vajza dikur ka marrë pjesë në klipin e këngës së Alban Skënderaj “Mirmëngjes”.
Pas komenteve të shumta, Albani ka reaguar përmes një postimi në “Instastory”, ku e mbron Elenën pavarësisht se nuk e njeh personalisht. Ai shprehet se është absurde dhe demotivuese për të rinjtë që gjykohen nga puna që kanë bërë.
“Më ranë dhe mua në sy titujt e disa portaleve që përshkruajnë një vajzë të repesktuar, Elena Pici, e cila “nga kamariere në klipin tim ka arritur të marrë një post të rëndësishëm publik.” Është fakt që titujt e disa portaleve tashmë njerëzit i marrin gjithmonë e më pak serizoisht por për vetë fajin e tyre, pra të portaleve. Megjithatë në këtë rast është absurde do thoja dhe demotivuese për çdo kënd e sidomos të rinjtë, e përshkruar si diçka denigreuese.
Ç’të keqe ka në parim të aktrosh në klip, 18 vjeç, në një rol kryesor dhe aq më tepër në një klip artistik, familjar, të një kënge të vlerësuar, dëgjuar dhe respektuar nga të gjitha moshat. Aktore e jo vetëm janë bërë kryeministra e presidentë në shtete shumë më të zhvilluar se ky i joni. Personi në fjalë, këto 10 vite distancë mund të ketë studiuar, punuar e sakrifikuar për t’u rritur në profesionin e tij! Unë nuk e njoh personalisht por patjetër që ka mbështetjen time, megjithatë më shumë akoma më shqetëson ky mentalitet në një vend ku ka halle shumë më thelbësore”, ka shkruar Alban Skënderaj. /tvklan.al