Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka bërë të ditur se së shpejti do të ngrihet Zyra e Rikuperimit të Aseteve në përputhje me standardet më të mira të Bashkimit Evropian.

Në një reagim publik, Balla ka thënë se gjurmimi dhe sekuestrimi i pasurive dhe vlerave monetare që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale janë prioriteti i tyre që së shpejti do të materializohet me nismën konkrete të zyrës së Rikuperimit të Aseteve.

Ministri Balla ka përgëzuar Policinë e Shtetit në Durrës, Tiranë, Krujë, Vlorë dhe Policisë Kufitare Durrës për vendosjen para drejtësisë së 18 shtetasve, sekuestrimin e pasurive dhe shumave monetare të përfitura nga aktivitete të paligjshme.

“Gjurmimi dhe sekuestrimi i pasurive dhe vlerave monetare që rrjedhin nga veprimtaria kriminale jane prioriteti ynë, i cili së shpejti materializohet me një nismë konkrete ligjore në perputhje me standardet me te mira të Bashkimit Evropian: Ngritja e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve. Përgëzime Policisë së Shtetit në Durrës, Tiranë, Krujë, Vlorë dhe Policisë Kufitare Durrës për vendosjen para drejtësisë së 18 shtetasve,  sekuestrimin e pasurive dhe shumave monetare të përfitura nga aktivitete të paligjshme. Në të gjithë vendin vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje, zbardhja e vjedhjes së pronës dhe gjetjq/ndalimi i shtetasve në kërkim nga drejtësia”, shkruan Balla.


/tvklan.al