Sekuestrohet kompania “5D Konstruksion” me të gjitha aseset në emër të saj. Gjithashtu me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive për pronat në emër të familjarëve të dy ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës Redi Molla dhe Mariglen Qato.
Gjatë hetimeve që ka kryer SPAK në lidhje me këtë çështje ka arritur në përfundimin se shoqëria “5D”, 2 apartamente, 2 kompani dhe dy troje janë krijuar me burime të paligjshme të parave.
“Janë mbledhur provat e nevojshme nga të cilat krijohen dyshime të arsyeshme se, shumat monetare të përfituara në mënyrë të parregullt nga shoqëria “5D Konstruksion sh.p.k” që përbëjnë “produkt” të veprës penale, pjesërisht janë nxjerrë jashtë sistemit bankar nëpërmjet skemës së pagesave për punime fiktike duke u disponuar në gjendje “cash” nga pronarët e vërtetë të shoqërisë tregtare, si dhe pjesërisht janë ri-investuar në aktivitetin tregtar të shoqërisë tregtare të mësipërme.”
Sipas SPAK shumat e parave janë investuar në blerje të pasurive të paluajtshme.
“Janë mbledhur prova të mëtejshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare të përfituara në gjendje “cash” janë përdorur më pas për të investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme. Janë sekuestruar pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 506.25 m² dhe ndërtesë me sipërfaqe 164 m² ndodhur rrugën “Tefta Tashko”. Këto pronë janë në emër të Mollës dhe Qatos. Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 51.3 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko” dhe Shoqëria tregtare “Restur” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, janë në zotërim të shtetasit Redi Molla. Sekuestro është vendosur edhe për 24 % e kuotave në shoqërinë tregtare “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, me seli në Durrës, regjistruar në emër të shoqërisë tregtare “Restur” sh.p.k, me ortak dhe administrator Redi Molla.”
SPAK pas kallëzimit të opozitës krijoi dyshimin e arsyeshëm se ish-zyrtarët e Bashkisë së Tiranës kishin përfituar procedura tenderimi në mënyrë të parregullt edhe pse nuk i kishin mundësit për realizimin e tyre.
PASURITË E SEKUESTRUARA:
Shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, me të gjithë asetet e saj
Truall 506.25 m² dhe ndërtesë me sipërfaqe 164 m²
Truall me sipërfaqe 51.3 m²
Shoqëria tregtare “Restur” sh.p.k, me të gjithë asetet e saj
24% e kuotave në shoqërinë tregtare “Mediterranean Investment Group” sh.p.k
Apartament me sipërfaqe 22.7 m², dhe dy parkingje me sipërfaqe 84 m²
Apartament me sipërfaqe të përgjithshme 86.4 m²
Klan News