Prokuroria deklaroi në seancën gjyqësore ndaj të pandehurve Arben Grori dhe Agron Tresa për trafik lëndësh narkotike se vrasja e dy personave në vitin 2000 e ndodhur në fshatin Lundër të Tiranës ka lidhje më këtë çyshtje. Të pandehurve Grori dhe Tresa u është komunikuar akuza për krijim të bandës kriminale dhe trafikut të kokainës nga gjyqtari i çështjes Gjin Gjoni.
Gjatë leximit të kërkesës për gjykim prokurorët e çështjes kanë përshkruar historinë e vrasjes së Edmond Murrës dhe Saimir Çalës, çështje e cila është shqyrtuar më parë në Gjykatën e Tiranës e cila dënoi të pandehurin Eduard Tresa, vëllain e Agron Tresës për vrasje për motive të dobëta, por prokuroria ka dhënë një version tjetër të këtij krimi duke e cilësuar atë të tipit mafioz. Ndër të tjera në kërkesën për gjykim thuhet:
“Pas kthimit të heroinës Eduard Tresa pretendon se i mungonin 2 kilogram heroinë dhe refuzon tu kthejë barletanëve italianë shumën e munguar prej 80 milionë liretash”.
Në orët e pasdites të 6 Majit 2000 ose një ditë para vrasjes i pandehuri Agron Tresa informon vëllain e tij Eduard Tresa se në shtëpinë e tij ishte krijuar një situatë tensioni dh konflikti midis tyre, nga njëra anë dhe duy të rinjve të identifikuar më vonë si Edmond Murra dhe Saimir Çala që përfaqësonin interesat e barletanëve.
Gjatë seancës prokurorët deklaruan se si prova për këtë çështje do të paraqesin një numër përgjimesh të anëtarëve të organizatës ndërkombëtare të shpërndarjes së heroinës që vepronte në itali dhe që kishte si anëtarë të saj kryesisht shqiptarë, italianë dhe marokienë, por katër avokatët mbrojtës të të pandehurve i kërkuan gjykatës të mos i marrë parasysh këto prova pasi sipas tyre ato janë marrë në mënyrë të jashtëligjshme.
…
Avokati mbrojtës i të pandehurit Flamur Hakaj i akuzuar për vrasje për gjakmarrje të ndodhur në qendër të Tiranës dy vite më parë i kërkoi gjykatës që babai i të pandehurit të dëshmojë për këtë çështje.
Abaz Haka babai i moshuar i Flamurit nuk është lejuar të dëshmojë për vrasjen e Sulë Demës i cili u ekzekutua me armë zjarri pranë lokalit “Piazza” në kryeqytet.
Kryetari i seancës Gjin Gjoni pasi dëgjoi edhe prokurorin e rrëzoi kërkesën e mbrojtjes me arsyetimin se Abaz Haka është i pandehur ne të njëjtën çështje. Ky i fundit gjykohet i lirë për armëmbajtje ndërsa i biri Flamuri ka masën e sigurisë me burg pa afat. Në këtë seancë prokurori Blerim Tominaj lexoi një prej dëshmive të vëllait të viktimës Qemal Dema dhe një prej dëshmitarëve të çështjes vrasja e Sulë Demës është njëra pas serisë së vrasjeve të kryera mes dy fiseve nga Kruja, Haka dhe Dema.
Pasi të dëgjohen dhe dy dëshmitarët e fundit të thirrur nga avokati mbrojtjes prokuroria do të japë konkluzionet përfundimtare të çështjes ku kanë dëshmuar deri më tani edhe shumë prej familjarëve të viktimës të cilët kanë fajësuar për krimin të pandehurit Haka./tvklan.al